Ilustrim

Mësimdhënësi kandidoi për asamblist, nxënësit humbën mësimin pasi drejtori dështoi të gjejë zëvendësuesin

342 nxënësve të shkollës fillore “Dëshmorët e Lirisë” në fshatin Manastircë të komunës së Ferizajt u kushtoi me humbje të orëve të gjuhës angleze kandidimi i mësimdhënësit, Blerim Hyseni, për asambleist në Kuvendin Komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pasi që drejtori i kësaj shkolle, Enver Kashtanjeva nuk ka arritur të gjejë zëvendësim tjetër.

Më 14 shtator ka filluar viti i ri shkollor në nivel vendi, për më tepër se një muaj nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën nuk i kanë mbajtur të gjitha orët e gjuhës angleze, pasi që janë zëvendësuar vetëm 6 apo 7 orë nga mësimdhënësja tjetër, Afërdita Kupina.

Sipara Ligjit për Zyrtarë Publik, nënpunësit të cilët janë kandidatë për zgjedhje komunale apo qëndrore vendosen në pushim pa pagesë për një muaj  deri në certifikimimn zyrtar të zgjedhjeve.

“Nëpunësi civil i cili nuk zgjidhet ka të drejtë të kthehet në vendin e tij/saj të punës në shërbimin civil një javë nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në Ligjin për Zyrtar Publik. 

Për mungesën e arsimtarit, drejtori i shkollës thotë se ka qenë katër herë në komunë për të kërkuar zëvendësim të mësimdhënësit të gjuhës angleze, por ai thotë se zëdhënësja e drejtorit të arsimit në Ferizaj, Selvete Bajraktari, i ka premtuar se do të gjejnë ndonjë studente pa pagesë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Selvete Bajraktari ka qenë në dijeni prej ditës së parë të mungesë së tij, por përgjigja e saj ka qenë do të mundohemi me gjet një studente pa pagesë plus do të bisedojë me Blerimin (kandidatin për asambleistë) se mban kurs e mos pe gjen dikën të vetin”, tregon drejtori për KALLXO.com.

“Mësimdhënsja tjetër, Afërdita Kupina, është mundu me i mbajtë disa orë edhe pse të gjitha nuk i ka mbajtë, pasi që janë dy mësimdhënës të cilët japin gjuhë angleze”, tregoi tutje ai.

Të gjitha orët mësimore të cilat janë humbur, drejtorit thotë, se do të kompensohen.

“Para orës 13:00 do të punojë më këta të paradites, pas orarit mësimor do të punojë me këta të pasdites. E kemi bisedu me të, Blerimi do t’i kompensoj orët e mësimit. Ai është kthyer tash në mësim”, sqaron tutje ai.

Në anën tjetër, kryetarja e Këshillit të prindërve në këtë shkollës, Emine Hyseni, në një prononcim për KALLXO.com sqaroi se kanë qenë në dijeni për mos mbajtje të orëve të gjuhës angleze nga mësimdhënësi, mirëpo tani këto orë do të kompensohen.

Në anën tjetër, drejtori i arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, thotë se kërkesën për zëvendësim të mësimdhënësit drejtori i shkollës e ka kërkuar në muajin tetor, jo nga fillimi i vitit të ri shkollor, kur edhe është pezulluar nga puna mësimdhënësi njëherësh kadidati për asamblist.

Në lidhje me këtë deklarim të drejtorit të arsimit, KALLXO.com ka telefonuar përsëri drejtorin e shkollës “Dëshmorët e Lirisë”, por i njëjti thotë se kërkesa e tij e fundit ka qenë për arsimtar të matematikës, por siç thotë ai “iu kanë përzi kabllat”.

“Kam bërë kërkesë për asimtar për matematikë. Jo more ajo ka qenë për matematikë, po ju kanë përzi kabllat”, shprehet Kashtanjeva.

Shkollat të cilat kanë kërku zëvendësim ne i kemi çu zëvendësimet ose i kemi plotësu brenda stafit. Mua drejtori i shkollës as nuk më ka përcjellë email. Nëse drejtori i shkollës e ka thënë këtë është përgjegjësi e tij. Personalisht unë nuk kam marrë as telefonatë, por as email”, sqarohet në anën tjetër drejtori i arsimit. 

Llabjani gjithashtu thotë se, sipas zëdhënëses së tij e cila ka qenë në kontakt me drejtorin e shkollës, janë dakorduar që orët e gjuhës angleze të mbahen nga mësimdhënësja tjetër e gjuhës angleze, Afërdita Kupina, por kur kjo e fundit nuk ka arritur të mbajë të gjitha orët, drejtori ka kërkuar që të gjendet zëvendësimi. 

“Unë fola edhe me zyrtaren edhe me vet arsimtarin, ata paskan bo marrëveshje disa orë me i mbajtë mësimdhënësja brenda, se koka kanë me minus orë, edhe i paska mbajt dikun nja 6-7 orë edhe e paska lajmëru edhe drejtorin edhe koordinatorin. Kur nuk kanë mujt me i përfundu krejt orët atëherë e ka lajmëru edhe tash koka t`u u mundu me gjetë zëvendësimin”, tregon tutje Llabjani. 

Sipas drejtorit të arsimit, të gjitha shkollat të cilat kanë kërkuar zëvendësime e kanë përmbushur kërkesën e tyre.

Mësimdhënësi apo kandidati për asamble në kuvendin komunal, Blerim Hyseni, në një prononcim për KALLXO.com thotë se e ka lajmëruar drejtorin e shkollës në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit. 

“Pasi e kam kuptu që jam hy në garë, e kemi pas për obligim me pezullu vendin e punës për shkak të fushatës. Drejtoria e shkollës nuk e di si kanë funksionu, unë e kam njoftu shkollën posa e kam kuptu që jam kandidat për asamblist. Me të thënë të drejtën e kam lajmëru me kohë, sigurisht ka qenë shtatori ose gushti i vonë”, tha ai.

Më 17 tetor në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet komunale.