FOTO- Ilustrim

Me maska e duke mbajtur distancë, nxënësit nisin ditën e parë në shkollë (VIDEO)

Të renditur në distancë prej dy metrash, pa përshëndetje e me maska në fytyrë, nxënësit e Kosovës sot u janë kthyer bankave shkollore pas 7 muajsh.

 

Edhe klasat nuk janë njësoj. Në to qëndrojnë vetëm mbi 10 nxënës dhe një orë mësimore është bërë 30 minuta.

Prindërit po e quajnë këtë vit shkollor, një ndër sfidat më të mëdha.

“Ka qenë mjaftë sfiduese prej që jam bërë nënë që 9 vjet është sfida më e vështirë që ka qenë gjatë këtyre muajve”, thotë Flutura Hoxha Munishi prind i dy fëmijëve.

Fillimi i mësimit në kushte pandemie ka qenë sfidë për mësimdhënësit po ashtu.

“Nuk është si herëve të tjera, është më e pazakontë se vitet e kaluara, kemi kaluar mirë sot, nuk ka pasur shqetësim as tek fëmijët. Ata na kanë ardhur të përgatitur edhe nga ana e prindërve dhe po besoj që shumë shpejt kemi me tejkaluar edhe këtë sfidë dhe mu ju kthy normalitetit”, thotë Tringa Dedi, mësimdhënëse e shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë.

Ndërsa, Betim Sylejamni, drejtori i Shkollës “Elena Gjika”, thotë për KALLXO.com se është duke u treguar kujdes maksimal në shkollë dhe mësimi ka filluar mbarë.

“Të gjithë fëmijëve i është matur temperatura nga personat përgjegjës në nivel shkolle, dhe nuk ishte asnjë rast që duhet cekur me temperaturë të lartë, edhe nga ana e mësimdhënësve njëjtë. Organizimin që e kemi bërë në nivel shkolle është që në pushimin e gjatë jenë arsimtarët  së bashku më fëmijët  duke u ruajtur distanca dhe gjithçka ka shkuar në rregull që në ditën e  parë”, shtoi ai.

Në pothuajse të gjitha shkollat e Prishtinës ka filluar procesi mësimor sot.  Në hyrje të çdo shkollë nxënësit priten nga mësueset e tyre dhe secilit nxënës i matet temperatura, sipas udhëzimeve të IKShPK-së.

Ministria e Arsimit ka marrë vendim që mësimi të filloj në dy faza, sot ka filluar faza e parë me institucionet parashkollore, klasat 1,2,3 dhe 6 edhe klasat 10 në shkolla, ndërsa klasat  4-5 do të fillojnë sipas skenarit A. Kurse, në fazën e dytë më 21 shtator do të fillojë mësimi për klasat 7,8,9, 11 dhe 12.