Mbikëqyrësit e Testit të Maturës mund të gjobiten deri në 3 mijë euro për shkelje të rregullave

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një paraqitje për media lidhur me mbajtjen e testit të maturës tha se mbikëqyrësit që thyejnë rregullat mund të marrin gjobë deri në 3 mijë euro.

“Lus të gjithë administruesit dhe mbikëqyrësit qe të mos lejojnë të vihet në pikëpyetje provimi pasi do të iniciojmë procedura ligjore ndaj atyre që i shkelin rregullat. Administruesit dhe mbikëqyrësit që shkelin rregullat, sipas ligjit do gjobiten nga 1 mijë deri në 3 mijë euro”,  ka thënë Pupovci.

Ai tutje shtoi se do t’i monitorojnë me kujdes grupet në rrjete sociale dhe do të marrin masa ndaj atyre nxënësve.

Pupovci ka thënë se nxënësit do t’i nënshtrohen testit të maturës në 177 qendra.

“Sipas informacioneve janë paraqitur 23,650 maturantë në provim në 177 qendra ndërsa në administrim mbi 200 mijë administrues dhe 550 komisionerë. Ne kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe hapat që organizimi të zhvillohet sipas kërkesave dhe standardeve të përcaktuara”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, këtë vit është i ndaluar tërësisht celulari, pra të mbahet në shtëpi, përndryshe do ketë largime nga provimi.

“Këtë vit është ndaluar në tërësi celulari që do të thotë në shtëpi të mbahet telefoni dhe secilit nxënës që i gjendet celulari ose e ka shfrytëzuar atë do të largohet nga provimi”, shtoi tutje ai.