Studentët në UP, Fotot: Getiana Ahmeti, KALLXO.com

Mbi 3 milionë euro parashihen të investohen në universitetet publike

Mbi 3.1 milionë euro pritet të investohet në universitetet publike në Kosovë për vitin 2022. Por i gjithë ky buxhet apo këto projekte janë bartur nga viti 2021 në vitin 2022.

Në buxhetin e vitit 2022, i cili është miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe e pret dritën e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës, 2.3 milionë euro planifikohet të investohet në ndërtim dhe renovim të infrastrukturës së objekteve të universiteteve.

Në Universitetin e Ferizaj janë ndarë 300 mijë euro për ngritjen e infrastrukturës së re dhe renovimin e objekteve ekzistuese, ndërsa 200 mijë euro për Universitetin e Prizrenit. Këto shuma janë bartur nga viti 2021. Për vitin 2022 nuk janë ndarë para shtesë për renovim të objekteve.

Për ndërtimin dhe renovimin e infrastrukturës në Universitetin e Pejës janë ndarë 400 mijë euro në vitin 2021, të njëjtat janë bartur në vitin 2022 dhe në buxhetin e ri nuk janë ndarë para shtesë për këtë çështje.

Për ndërtimin dhe renovimin e infrastrukturës se Universitetit të Mitrovicës janë paraparë 30 mijë euro, ndërsa 800 mijë euro për Universitetin e Gjakovës dhe 400 mijë euro për Universitetin e Pejës. Për të dyja këto universitete, shuma është bartur nga viti 2021 dhe nuk ka para të reja të ndara për vitin 2022.

Kurse për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan janë ndarë 200 mijë euro. Kjo shumë është bartur nga viti 2021 dhe nuk ka para shtesë të ndara për vitin 2022.

Investimet në laboratorë të universiteteve

Për furnizimin me pajisje të laboratorëve të universiteteve publike pritet që të investohen 670 mijë euro. E gjithë kjo shumë apo këto projekte janë të bartura nga viti 2021 në vitin 2022 dhe nuk është buxhet i ri i ndarë në vitin 2022.

Në Universitetin e Pejës për laboratorë dhe teknologji informative janë paraparë të investohen 20 mijë euro, të cilat janë para të vitit 2021, e jo të reja, të ndara në vitin 2022. Në Universitetin e Gjilanit 50 mijë euro dhe në Universitetin e Gjakovës 100 mijë euro. Edhe për këto pajisje të këtyre dy universiteteve paratë janë ndarë në vitin 2021 dhe janë bartur në vitin 2022.

Ndërsa, 300 mijë euro janë ndarë për furnizim me pajisje të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, për laboratorin për Teknologji Ushqimore, për laborator të Gjeoshkencave dhe pajisje teknologjike në Universitetin e Mitrovicës. Të gjitha këto para janë bartur nga viti 2021 dhe nuk ka buxhet të ri të ndarë në vitin 2022. Ndërsa për pajisjet laboratorike në Universitetin e Ferizajt janë ndarë 200 mijë euro, buxhet i cili është bartur nga viti 2021.

Shpenzimet për nevojat e fakulteteve

Krahas buxhetit të ndarë për renovim të objekteve dhe pajisjes së laboratorëve janë ndarë edhe para për mobilje dhe mjete të tjera për universitetet.

50 mijë euro janë ndarë për blerje të pajisjeve tjera për Universitetin e Pejës. Këto para janë bartur nga viti 2021 në vitin 2022.

Për blerjen e mobiljeve në Universitetin e Gjilanit janë ndarë 50 mijë euro, të cilat po ashtu janë para të bartura nga viti 2021.

20 mijë euro të bartura nga viti 2021 janë dedikuar për furnizim me pajisje për mirëmbajtje të sipërfaqeve të gjelbëruara në Universitetin e Mitrovicës.

Po ashtu, edhe 50 mijë euro janë ndarë për mjete konkretizimi në Universitetin e Ferizajt, të bartura nga viti 2021.