MAShTI: Transmetimi i mësimit online do të bëhet edhe gjatë festave zyrtare

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se transmetimi i video-ligjëratave për mësimin në distancë, në Radio Televizionin e Kosovës, do të bëhet edhe gjatë festave zyrtare.

“Duke marrë parasysh faktin se transmetimi i video-ligjëratave sipas këtij orari mund të përkojë me ndonjë ditë që është e përcaktuar si festë zyrtare në Republikën e Kosovës, MAShTI sqaron se pavarësisht kësaj, video-ligjëratat do të transmetohen sipas orarit të fiksuar, pra edhe gjatë ditës së festës zyrtare”, është thënë në një njoftim për media.

MAShTI ka bërë të ditur se nuk është e domosdoshme përcjellja e tyre, por ato do të ri-transmetohen në RTK 4.

“Megjithatë, duke marrë parasysh faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditën e festave, MAShTI ju bën me dije se video-ligjëratat e transmetuara gjatë ditës së festës do të ri-transmetohen në RTK 4 ditën e shtunë të po asaj jave kur është festa”, thuhet më tej në njoftim.

Më 11 mars , Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i mbyllë shkollat deri me datën 27 mars për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Pas kësaj, 12 ditë pasi u mbyllën shkollat, më 23 mars filloi mësimi online apo mësimi nga distanca.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.