Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

MAShTI nuk bindet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kërkon qasje në disa prova

Valdrin Dervishaj, këshilltar ligjor i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli jo-kushtetues vendimin e Nagavcit për mësim alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës në komunën e Kamenicës, ka kërkuar qasje në dokumente publike për disa prova tek Gjykata Kushtetuese.

Dervishaj ka njoftuar se këtë kërkesë e ka bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Ai ka bërë kërkesë për provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar mësim alternativ të përshpejtuar si dhe disa çështje të tjera.

“Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka angazhuar mësimdhënës shtesë për të organizuar mësim alternativ të përshpejtuar; Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lëshuar certifikata për nxënësit pas përfundimit të procesit të mësimor si dhe provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shprehimisht ka caktuar vendin se ku do të organizohet mësim alternativ i përshpejtuar”, thuhet në postimin e tij në Facebook.

Sipas tij, në shkresat e lëndës nga Gjykata nuk ka asnjë provë që dëshmon se janë realizuar këto veprime.

“Këto janë katër elementët e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në të cilat konstatohet që MASHTI ka ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës. Në shkresat e lëndës të dorëzuar nga Gjykata nuk kemi asnjë provë që dëshmon se ne kemi realizuar një nga këto veprime. Kemi kuptuar nga Aktgjykimi se ankuesi ka dorëzuar prova shtesë. Prandaj, kërkesa ka qëllim t’i sigurojë ato prova. Afati është 7 ditë për kthimin të një përgjigje në kërkesën e parashtruar”, ka shkruar ai më tej.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese tek përmbledhja e fakteve, është përmendur se ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka dorëzuar disa dëshmi se 5 mësimdhënës nuk kanë qenë pjesë e sistemit të arsimit në Komunën e Kamenicës dhe nuk kanë qenë në listën e pagave.

“Më 9 qershor 2021, Njësia e Burimeve Njerëzore pranë Komunës së Kamenicës, përpiloi nje raport, përmes të ciliit u theksua se zyrtarët e DKA-së, kanë hasur në mësimdhënës (gjithsej pesë (5)) në fshatin Busavatë, të cilët nuk janë pjesë e sistemit të arsimit në Komunën e Kamenicës dhe të cilët nuk gjenden në listën e pagave. Këta mësimdhënës kishin dhënë mësim pa kontratë të lëshuar nga ana e komunës se Kamenicës”, përmendet në aktgjykim.

Gjykata Kushtetuese më 8 prill, e ka shpallur jo-kushtetues vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MAShTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.

Pas kësaj, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një aksioni simbolik i kishte përgatitur letrën e dorëheqjes ministres Arbërie Nagavci, duke kërkuar që ajo ose të shkarkohet ose të japë dorëheqje.

Ndërsa, dje ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se MAShTI-i konsideron që vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbënë një vlerësim të kufizuar “(për shkak të karakterit objektiv të juridiksionit të saj) të gjendjes së krijuar”, duke mos u folur për kërkesën e Kastratit.

Pas këtij reagimi, Kastrati i reagoi asaj përsëri duke thënë se “ministrja po vazhdon ende të manipulojë publikun duke u munduar të shfajësohet me pretekstin se ka respektuar obligimin ligjor”.

Vendimi i Nagavcit ndërlidhet me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës në vitin 2019, riorganizim ky i cili ishte iniciuar përmes vendimeve përkatëse të ish-kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

Por, disa prindër të nxënësve kishin refuzuar zbatimin e këtyre vendimeve dhe kishin kontestuar të njëjtat përmes konfliktit administrativ, duke kërkuar edhe nxjerrjen e masave të përkohshme me qëllim të pezullimit të zbatimit të vendimeve të Komunës.

Ndërsa, kryetari i i ri i Kamenicës, Kadri Rahimaj me të marrë mandatin më 29 dhjetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim që të pezullonte vendimin e ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, sipas të cilit ishte mbyllur shkolla në Busavatë, dhe nxënësit duhej të vazhdonin mësimin në Kamenicë.

Ndaj këtij vendimi, ish-kryetari Kastrati, kishte ushtruar padi duke kërkuar që të shtyhej ekzekutimi i vendimit deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore.

Por, para dy ditësh, Gjykata e Apelit ka vendosur ka kthejë në rivendosje kërkesën e ish- kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, për pezullim e vendimit të kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, për kthimin e nxënësve të fshatit Busavatë në shkollën e tyre.

Apeli e kthen në rivendosje kërkesën e Qëndron Kastratit për pezullimin e vendimit të Rahimajt për shkollën në Busavatë

.