MAShTI nënshkroi tenderin me kompaninë që nuk i solli të gjitha dokumentet

Në tenderin për “Renovimi i nyejve sanitare në konviktin nr.2”, Ministria e Arsimit ka kontraktuar kompaninë, e cila  kishte sjellë dokumentet e nevojshme pas nënshkrimit të kontratës.

Nga kompanitë aplikuese ishte kërkuar vërtetimi i ATK-së, që OE nuk ka obligime të tatimeve dhe vërtetimi nga gjykata kompetente se kompania (biznesi) nuk është në falimentim ose nën administrim të dhunshëm.

Vlera e kontratës së nënshkruar ka qenë 167 mijë e 823 euro.

Sipas, raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik kishte lehtësuar masat e aplikimit, në vend të Vërtetimi nga Gjykata, OE i ishte rekomanduar për dhënie të kontratës, si evidencë të mjaftueshme mund të dërgoj në AK një Deklaratë me shkrim nën betim, ndërsa vërtetimi i ATK-së, mund të dorëzohej në formë elektronike.

“OE i shpërblyer me kontratë, nuk kishte sjellë dokumentet e kërkuara, siç është vërtetimi nga ATK (në formë elektronike) dhe deklarata nën betim me arsyet objektive për pamundësinë e sjelljes së vërtetimit nga Gjykata sipas njoftimit të KRPP-së, dhe pavarësisht kësaj, Qendra e Studentëve kishte lidhur kontratë me OE fitues”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Dokumenti i ATK-së, ishte sjellë tre muaj pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa vërtetimi nga gjykata kompetente ishte sjellë gjashtë muaj pas nënshkrimit të kontratës, përkatësisht në nëntor të vitit 2020.

MAShTI është pajtuar me rekomandimin e ZKA-së.