MAShT tregon sa do të jetë shuma e bursës për studentët e UP-së

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një njoftimi për media ka njoftuar se sa do të jetë shuma e bursës që do të ndahet për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka planifikuar që edhe këtë vit bursat që do t’iu ndahen studentëve të kenë shumën e bursave që janë ndarë edhe vitin e kaluar 880 euro. Mbështjetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare”, thuhet në njoftim.

Tutje MAShT ka treguar edhe arsyet pse janë lënë anash këtë vit disa fusha të studimit.

“Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MAShT. Këtë vit, MAShT ka ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik, sepse perveç që ky fakultet përgatite kuadro që në tregun e punës ka mungese të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në keto drejtime”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Ministria e Arsimit në fund ka kërkuar nga organizatat studentore, që të mos “manipulojnë studentët në lidhje me këtë çështje”, duke aloduar në protesta që po mbahen si shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.

Sot, studentët e Fakultetit të Arteve kanë protestuar para MAShT-it, ku kanë kërkuar anulimin e këtij konkursi për bursa, ndërsa nesër protestë kanë paralajmëruar studentët e Fakultetit të Edukimit.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendimin për ndarjen e bursave e ka marrë me 24 tetor dhe si kriter i ka përfshirë vetëm studentët e fushave të studimit të Bujqësisë-Veterinarisë, FShMN-së, Mjekësi e përgjithshme, farmaci, stomatologji, teknik dhe shkenca të aplikuara.

Në vendim thuhet se kjo është marrë në bazë të Udhëzimit Administrativ për ndarjen e bursave, kryesisht të nenit 3, paragrafi 1.4, ku thotë se ministri e përcakton se cilat fusha duhet të përfshihen.

Konkursi është hapur me 28 tetor deri më 8 nëntor në ora 16:00.