MAShT obligon UP-në që të rrisë numrin e studentëve të Mjekësisë, injoron vendimin e KShC

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dje ka marrë një vendim të ri në lidhje me studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Bytyqi ka obliguar UP-në që të rrisë numrin e studentëve sipas vendimit që ai e kishte marrë më 15 korrik të këtij viti, kështu duke e injoruar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë rreth kësaj çështjeje.

“Obligohet Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” gjegjësisht Fakulteti i Mjekësisë, që të regjistrojë studentët e cekur në vendimin me nr.304/-B”, thuhet në vendimin e tij të siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar ta kontaktojë kryetarin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni për të marrë një qëndrim por se nuk ka qenë i qasshëm.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Fakultetit të Mjekësisë dhe është duke pritur përgjigje.

Para dy ditësh ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ishte takuar edhe me disa nga anëtarët e KShC-së.

Mosrritja e numrit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë kishte shkaktuar edhe protesta nga ana e studentëve, ku edhe kishin paralajmëruar grevë urie.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e 26 korrikut e kishte rrëzuar vendimin e Bytyqit, duke vendosur që të mos rritet numri i studentëve të këtij Fakulteti. Për këtë pikë kishin votuar katër anëtarë për dhe tre kundër, ndërsa prezentë ishin shtatë anëtarët nga nëntë gjithsej.

Me 9 korrik të këtij viti, ministri Bytyqi kishte takuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Suzana Manxhuka-Kërliu, për të diskutuar kërkesën e tyre për rritjen e numrit të studentëve në dy programe studimore.

KShC ëshë organ që vendos për rritje të numrit të studenteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.