
Lansohet projekti për Mbulimin e shpenzimeve të çerdhes për tri kategori të fëmijëve - VIDEO
Është lansuar Programi i Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës tha se fëmijët që do të përfitojnë janë ata të moshës 3 deri në 5 vjeç, të cilët kanë vështirësi financiare.
“Familjet e këtyre fëmijëve do të përfitojnë mbulimin e pagesës dhe transportit të fëmijëve në çerdhet e licensuara.” – tha Kurti gjatë lansimit.
Kryeministri tha se kjo është një shtysë për sistemin kognitiv të fëmijëve, që nga mosha e hershme.
Ai tha se vlera e Projektit është 1.8 milionë euro. Projekti është i Bankës Botërore, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Ministrja Arbërie Nagavci, tha që ky Projekt do të mundësojë që të rritet niveli i edukimit të hershëm.
“Nga ky Program do të përfitojnë fëmijët nga familjet me asistencë sociale, fëmijët nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta.” – tha ajo duke shtuar, se do të ndihmojë edhe nënat të jenë më aktive në tregun e punës.
Ajo tha se për këtë Projekt kanë bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe me Komunat, në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje.
Nagavci tha se Projekti do të nisë fillimisht në Komunat: Prishtinë, Lipjan, Prizren dhe Gjilan.
Ministrja tha se Projekti do të zgjasë deri në vitin 2027 dhe se do ta zgjerojnë edhe në Komunat e tjera.
Kurse, Jane Milicent Sprouster, zëvendësdrejtoreshë e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, tha se ky Projekt do të rrisë pjesëmarrjen e fëmijëve në edukimin e hershëm – në mënyrë që, në të ardhmen të arrihen suksese akademike.
Sprouster tha se edukimi i hershëm ndikon në zhvillimin fizik, emocional e njohës të fëmijëve, por jo vetëm.
“Ne shpresojmë që ky Projekt do të jetë mundësi e barabartë për të gjithë fëmijët.” – tha ajo.