Një nxënëse tregon çfarë ka në çantën e saj në shkollën e mesme të ulët Pohjolanrinne në qytezën Riihimaki në Finlandë më 6 shtator. Foto: REUTERS/Elviira Luarma

Kthehen librat, hiqen laptopët - Nxënësit finlandezë kthejnë lapsin e letrën

Në këtë vjeshtë, nxënësit në qytezën finlandeze Riihimaki janë kthyer në shkollë me çantat të mbushura deng me libra pas një dekade me promovim qeveritar të laptopëve dhe pajisjeve tjera digjitale nëpër klasa, shkruan Reuters.

Sistemi publik i arsimit i Finlandës kishte fituar nam botëror për rezultatet e tij të mira në dekadat e fundit dhe për gatishmërinë e tij për t’iu përshtatur teknikave të reja. Deri së voni, shumë shkolla u jepnin laptopë falas nxënësve prej moshës njëmbëdhjetëvjeçare.

Por prindërit dhe mësimdhënësit finlandezë, sikur se edhe gjetiu, kanë nisur të shqetësohen përherë e më shumë për ndikimin e ekraneve te fëmijët.

Andaj, Riihimaki, qytezë më rreth tridhjetë mijë banorë që shtrihet nja 70 kilometra në veri të Helsinkit që më 2018 kishte hequr dorë prej përdorimit të shumicës së librave në shkollat e mesme të ulëta, po provon diçka ndryshe prej fillimit të vitit të ri shkollor: po i kthehet lapsit dhe letrës.

Hiletë e nxënësve

“Të rinjtë po i përdorin celularët dhe pajisjet teknologjike aq shumë këtyre ditëve saqë ne nuk donim që shkolla të ishte njëri prej vendeve ku fëmijët i bëjnë sytë katër në ekrane”, ka thënë Maija Kaunonen, mësimdhënëse e anglishtes në shkollën e mesme të ulët në Pohjolanrinne.

Shpërqendrimi i vazhdueshëm që vjen bashkë me përdorimin e pajisjeve teknologjike i bën shumë fëmijë të ndihen lodhur dhe të dërmuar për t’u përqendruar.

“Shumica e nxënësve i bënin ushtrimet shpejt e shpejt që të mund të kalonin kohën në lojëra dhe muhabete në mediat sociale”, ka deklaruar ajo për Reuters gjatë një pushimi të gjatë ndërmjet orëve.

“Dhe nuk u duhej fare kohë që të kalonin prej një aplikacioni në tjetrin. Kështu ta zëmë, kur mësimdhënësi u kalonte pranë, ata thoshin: ‘Po, po e bëja këtë ushtrim’”.

Në mbarë Finlandën, rezultatet e të mësuarit të fëmijëve kanë shënuar rënie të theksuar viteve të fundit, duke shtyrë qeverinë të planifikojë legjislacion të ri për të ndaluar përdorimin e pajisjeve personale, si celularët, dhe të shkurtohet koha e kalimit të fëmijëve në ekrane gjatë kohës së mësimit.

Përmirësimi i përqendrimit

Një prej nxënësve të Kaunonenenit, Elle Sokka, 14 vjeçe, ka thënë se nuk po ia dilte të përqendrohej gjithnjë në lëndët shkollore saherë mësonte në pajisje digjitale.

“Nganjëherë kaloja shpejt e shpejt në uebfaqe të ndryshme”, ka thënë ajo.

Shkollarët e klasës së tetë, Miko Mantila dhe Inka Warro, dytë 14 vjeç, kanë thënë se përqendrimi u është përmirësuar pas kthimit të librave fizike.

“Leximi është më i lehtë dhe mund të lexoj më shpejt nga librat”, ka thënë Mantila, megjithëse e ka pranuar se për të ishte më e lehtë që të shkruante në pajisje teknologjike.

“Dhe nëse duhet të bëni detyrat e shtëpisë natën vonë, është më e lehtë të flesh gjumë nëse nuk e keni zhbiruar ekranin”, ka thënë Warro.

Minna Peltopuro, neuro-psikologe klinike që ka punuar me komunën për këtë ndryshim, ka thënë koha e përgjithshme e kaluar para ekranit duhet të shkurtohet maksimalisht – tinejxherët finlandezë i kalojnë mesatarisht nga gjashtë orë në ditë para ekraneve teknologjike – për shkak se përdorimi i madh digjital ka edhe rreziqet e veta fizike dhe mendore, si probleme me shikimin dhe rritje ankthi.

“Një tjetër është multi-taskingu”, ka thënë Peltopuro, duke iu referuar ndikimin të kryerjes së shumë punëve përnjëherësh. “Truri është shumë i cenueshëm prej multi-taskingut dhe sidomos në një moshë rinore askush nuk mund ta menaxhojë mirë”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com