Kosova nënshkroi memorandum me organizatën gjermane të arsimit Education Unlimited e.V.

Ky memorandum u nënshkrua mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetares së Education Unlimited e. V, Kerstin Zielosko.

Sipas një njoftimi për media, përmes këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Education Unlimited e. V., u vendosën parimet kryesore për vazhdim të bashkëpunimit mbi projektin arsimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Të dy palët u pajtuan që të kryejnë projekte të përbashkëta në fushën e arsimit, përfshirë, por duke mos u kufizuar, në programe të shkëmbimit për studentë dhe nxënës, projekte kërkimore, programe edukimi dhe trajnime, konferenca arsimore dhe kulturore, për një periudhë pesëvjeçare, me mundësi vazhdimi.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arberie Nagavci, koordinatorja e Projektit, Milote Sadiku dhe udhëheqësi i projektit, Luan Krasniqi.