Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Kontestohet konkursi për mësimdhënës të fizioterapisë në shkollën 'Hysni Zajmi' në Gjakovë

Vesa Rraci, njëra nga kandidatet për pozitën e mësimdhënëses në lëndën e Fizioterapisë, në shkollën “Hysni Zajmi” në Gjakovë, thotë se janë shkelur kriteret e konkursit për ta favorizuar kundërkandidaten e saj B. Gj.

Ajo thotë se Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë, në krye me drejtorin Bernard Frrokaj, kanë punësuar kundërkandidaten e saj në baza partiake.

Rraci që kishte kandiduar për pozitën mësimdhënëse fizioterapeute, thotë që DKA-ja në Gjakovë, ka pranuar kandidatë pa kualifikimin shkollor të nostrifikuar.

“Në intervistën me shkrim unë kam pasë 71 pikë, ndërsa kandidatja tjetër 74 pikë, ndërsa në intervistën me gojë kemi rezultuar me 50 pikë secila. Edhe pse ajo është pranuar, e njëjta kualifikimin shkollor nuk e ka të njohur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, pasi që e njëjta masterin e ka kryer në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Ajo ka një vërtetim që ka përfunduar studimet master, por jo edhe diplomë, e lërë më të nostrifikuar”, thotë ajo.

Rraci, përveç kualifikimeve e diplomës që ka, ajo thotë se ka edhe një muaj përvojë si mësimdhënëse e lëndëve të fizioterapisë si zëvendësuese në Shkollën e Mesme të Lartë të Mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë, për të cilën edhe i është lëshuar vërtetim nga drejtori i kësaj shkolle.

Vesa Rraci thotë se në konkursin për mësimdhënëse e lëndës së Fizioterapisë, ka plotësuar të gjitha kriteret për nga kualifikimi profesional të parapara sipas Udhëzimeve Administrative të MASHT-it, ku grada master është fondamentale që një person të ushtrojë profesionin e mësimdhënëses në shkollë të mesme.

Ajo me ankesë i është drejtuar edhe Inspektoriatit të Punës, dhe ka kërkuar që të pranohet në vendin e punës si mësimdhënëse ose që konkursin të e anuloj në tërësi si të parregullt.

Ndërsa, Inspektoriati i Punës në krye me inspektorin e punës Afrim Kuçin, ka aprovuar si të bazuar ankesën e saj, duke vendosur që të përsëriten procedurat e konkursit.

Në vendimin e Inspektorit të Punës, Afrim Kuçi, gjithashtu thuhet se në shpalljen e këtij konkursi janë konstatuar parregullsi të UA 07/2017, dhe se kandidatja e pranuar ende pa nënshkruar kontratë pune dhe pa hyrë në listën e pagave, është duke punuar në vendin e punës.

Ndonëse, nga dy kandidatet e këtij konkursi, në pikët totale ka paraprirë kundërkandidatja e ankueses Vesa Rraci, që do të thotë kanë pasë diferencë vetëm 3 pikë, Inspektoriati i Punës ka konstatuar parregullsi me ndikim në rezultatin e kandidateve.

Mirëpo, kundër këtij vendimi të Inspektoriatit të Punës në Gjakovë, pala e pakënaqur në këtë rast Drejtoria e Arsimit i është drejtuar me ankesë Inspektoriatit të Punës në Prishtinë.

Kallxo.com ka kontaktuar Drejtorin e DKA-së në Gjakovë, Bernard Frrokaj, i cili tha se procedurat e konkursit nga ana e tyre kanë shkuar sipas rregullave.

“Asnjëra nga kandidatet nuk ka pasë diploma e as të nostrifikuara, ato kanë pasë certifikata të lëshuara nga fakulteti që tregon që i kanë përfundu studimet, por kandidatja Vesa Rraci nostrifikimin e diplomës e ka bërë pas përfundimit të konkursit. Ne i shikojmë vetëm dokumentet që dorëzohen në aplikimin e konkursit dhe jo dokumentet që janë bërë pas konkursit. Do të thotë që të dyja me dokumente kanë qenë të njëjta, komisioni ka vlerësuar që kandidatja B. ka qenë më e mirë”, tha drejtori Frrokaj.

Në mes tjerash, ai tha se sa i përket vlerësimit të testit me shkrim dhe me gojë, aty ka vendos komisioni dhe se Inspektoriati i Punës, duhet t`i shikojë nëse procedurat ligjore janë zhvilluar në rregull, e jo gjërat tjera.

Rraci ka treguar që rastin e ka dërguar edhe në Krime Ekonomike –Polici, dhe se tashmë po pret vendimin e Inspektoriatit të Punës.

Kallxo.com ka provuar që të kontaktojë edhe B. Gj., por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.