Komuna e Istogut | Foto: KALLXO.com
Konkursi në Istog përplas anëtarët e LDK-së
Një zyrtar i Komunës së Istogut, njëkohësisht anëtar i strukturave të LDK-së ka denoncuar publikisht Kryetarin e Komunës, Haki Rugovën për ndikim në punësim.
Konkursi i Komunës së Istogut për mësimdhënës të edukatës fizike u bë shkas për përleshje verbale mes zyrtarit të prokurimit në komunë dhe Drejtorit të Arsimit.
Të dy këta janë anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Arsyeja e përplasjes verbale mes tyre ishte punësimi i Arton Bajrës, djalit të Drejtorit të Kadastrit, Hazbi Bajra.
Deri tek kjo përplasje ka ardhur pasi në atë pozitë nuk ishte përzgjedhur Fatmir Ademaj, familjari i zyrtarit të prokurimit Gëzim Ademaj.
Ademaj ka thënë se nuk ka pasur ndonjë përplasje fizike me Drejtorin e Arsimit, Hajrush Shoshi, mirëpo vetëm e kishte ngritur zërin kur kishte kuptuar pse nipi i tij nuk ishte punësuar mësimdhënës.
“Është e vërtetë që e kam ngritë zënin kur ju kam drejtu drejtorit me pyetje për konkursin por përleshje fizike nuk ka pas”, tha Ademaj
Ai tha se nipi i tij ishte i pari me pikë. Megjithatë, sipas tij, Drejtori i Arsimit ka thënë se për pranim në këtë pozitë ka ndikuar drejtpërdrejt Kryetari i Komunës.
“Është e vërtet që në atë moment kur drejtori është përgjigj unë jam çmend, përgjigja e tij ishte nuk e di valla po ka ndiku direkt kryetari”, tha Ademaj.
Ai shtoi se edhe pse vet është pjesë e strukturave të LDK-së nuk e ka problem të flasë për këtë.
“Drejtori tha direkt ka ndiku Kryetari edhe pse jam pjesë e strukturës aty qekjo ka qenë përgjigja”, shtoj ai.
Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Drejtorin e Arsimit që ka mohuar të ketë pasur ndikim nga Kryetari në këtë konkurs.
“Nuk është e vërtetë, nuk ka pas ndikim prej kryetarit na mund të flasim çka të dush, intervenca kemi përditë gjithkush na ndal në rrugë, gjithkush pretendon me hi në punë dhe sigurisht që bëhen edhe pakënaqësitë”, tha drejtori Shoshi.
Ai shtoi se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese brenda tetë ditëve dhe se gjërat pas ankesave sqarohen.
Pas kësaj bisede, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e Istogut, Haki Rugova.
I pari i komunës ka thënë se nuk ka ndikuar në punësimin e djalit të drejtorit dhe se e respekton vendimin e komisionit.
“Konkursi ka qenë i hapur, komisionet kanë qenë e kanë marrë vendimin e vet, unë e respektoj vendimin e komisionit mua më intereson procedura ligjore nëse dikush ka ankesa le të ankohet edhe a s’ka të drejtë djali i drejtorit me hi në punë kurrë a?”, tha Rugova.
Ai nuk deshi t’i komentojë deklaratat e zyrtarit të prokurimit për ndikim në këtë proces.
Në lidhje më këtë konkurs mbrëmë kishin folur edhe drejtori i Arsimit, Drejtori i Kadastrit dhe kandidati Fatmir Ademaj.
Drejtori i Arsimit mbrëmë kishte deklaruar se nuk ka pasur ndikim politik në këtë proces dhe se gjithmonë nëpër konkurse njerëzit janë të pakënaqur.
“Djali i Drejtorit të Kadastrit është punësuar nuk ka pasur asnjë ndikim në punësimin e tij, aty kanë qenë tre kandidatë edhe gjithmonë njerëzit pranohen dhe gjithmonë nëpër konkurse ka të pakënaqur”, tha Shoshi.
Se nuk ka pasur ndikim në punësimin e djalit të tij deklaroj edhe Drejtori i Kadastrit, Hazbi Bajra.
“Skam pas ndikim un, komisioni ka vendos un as s’jam sjell asnjëherë asajde, edhe sdi çka është kjo punë a është kiamet me u punësu një njeri, a s’po u dashka me u punësu kurrë fëmija e tyre a, reagimet gjithmonë ndodhin unë e konsideroj se çdo ka qenë në rregull”, ka thënë Bajra.
Të kundërtën e tyre e tha kandidati i cili nuk u punësua në këtë konkurs Fatmir Ademaj.
Ademaj tha se atij i është bëre e padrejtë në këtë konkurs pasi që ka qenë i pari me poena dhe Arton Bajra është zgjedh në këtë pozitë vetëm për faktin se është djali i drejtorit.
“Unë kam qenë më i miri, dy kandidatët e tjerë që kanë qenë në këtë konkurs kanë pas pikë më pak se unë, ky djali që o pranu është djali i drejtorit, than se për këtë konkurs ka vendos direkt kryetari i Komunës, arsyeja që është punësuar Artoni është fakti se është djali i një drejtori”, tha Ademaj.
Kallxo.com ka raportuar mbrëmë në lidhje me këtë punësim.
Reagime e përplasje në Istog shkaku i punësimit të djalit të drejtorit të kadastrit