Konkursi kontravers në Fakultetin e Mjekësisë, Këshilli merr vendim

Një pikë konkursi për Profesor Asistent në Fakultetin e Mjekësisë është diskutuar sot në Këshillin e këtij fakulteti. Këshilli mori vendim që raporti i Komisionit Recensues për dy kandidatë për këtë pozitë, të kthehet sërish te ky komision, në mënyrë që njëri anëtar të shkruajë vlerësimin e tij për njërin kandidat, vlerësim ky që mungoi në raportin fillestar.

Agreta Gecaj- Gashi e dhe Fatos Sada kanë konkurruar për pozitën Profesor Asistent në konkursin e Fakultetit të Mjekësisë të datës 22 tetor 2019 për një grup lëndësh. Komisioni vlerësues në këtë rast propozoi për këtë pozitë kandidatin Sada.

Komisioni i ankesave ka raportuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Mjekësisë për të gjeturat lidhur me pretendimet e kandidates Gecaj- Gashi.

Komisioni për ankesa përbëhet nga Naim Jerliu, Besim Morina dhe Burim Neziri ndërsa kandidatët u vlerësuan nga komisioni recensues që ka këtë përbërje: Antigona Hasani, Nehat Baftiu dhe Kemal Tolga Saracoglu.

Kryesuesi i komisionit të ankesave, Naim Jerliu, tha se ky komision ka gjetur se anëtari i tretë i komisionit vlerësues, Kemal Tolga Saracoglu nuk ka bërë raport vlerësues për kandidaten.

E qe si rrjedhojë, komisioni ka vlerësuar se raporti i komisionit vlerësues duhet që të ketë vlerësim për secilin kandidat, dhe jo vetëm për atë që është propozuar.

Që sipas nenit 11 paragrafi 21, të Rregullores për Përzgjedhje, komisioni vlerësues është i obliguar të shkruajë në raport për kandidatët të cilët i plotësojnë kushtet minimale për të cilët nuk janë propozuar të emërohen. Për kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kushtet minimale mjafton të ceken kushtet që nuk janë plotësuar.

“Komisioni ka gjetur se nga Kemal Tolga Saracoglu nuk është bërë vlerësimi për kandidaten Gecaj- Gashi. Me këtë komisioni ka vlerësuar se duhet siguruar raporti i recensues që përfshinë të gjithë anëtarët e komisionit edhe pse është anëtar i jashtëm, por që duhet pasur raport edhe për kandidatin që nuk propozohet”, ka thënë Jerliu.

Gjithashtu tha se është konstatuar se kandidatja Agreta Gecaj- Gashi nuk ka dëshmi për aplikim të trajnimeve për mësimdhënie.

Dje, KALLXO.com raportoi për një mori ankesash që kandidatja Gecaj- Gashi pati karshi vlerësimeve nga komisioni. Ajo kishte vlerësuar se kandidati i propozuar për përzgjedhje është më pak i kualifikuar se ajo. Ajo madje vuri dyshime mbi paanshmërinë e komisionit recensues.

KALLXO.com kishte kërkuar koment mbi këto pretendime nga anëtarët e komisionit dhe kundërkandidati, por të njëjtit nuk janë përgjigjur ende.

Lidhur me këto pretendime, sot në mbledhjen e Këshillit të Fakultetit ka folur kryetarja e komisionit, Antigona Hasani.

Sipas saj, të dy kandidatët kanë plotësuar vetëm kushtet që janë mosha dhe thirrja akademike – doktorë shkence te mjekësisë.

Gjithashtu, ajo tha se dy nga punimet e paraqitura nga kandidatja Gecaj- Gashi janë përjashtuar pasi që thotë se njëra prej tyre, është vetëm koment.

“Kandidatja i ka pas katër punime shkencore të cilat janë vlerësuar e prej këtyre dy revista nuk ekzistojnë janë shuar por i kemi pranuar. Kurse kandidati i dytë, Faton Sada e ka një punim shkencor i cili është i botuar në këtë platformë edhe i cili ka një faktor mjaft të lartë për pesë vitet e fundit është mbi dy edhe është i cituar deri tash 35 herë që është sukses mjaft i madh dhe janë kushte për pranim”, tha Hasani.

“Kandidatja i ka 69 abstrakte e publikime e krejt, kurse kandidati i dytë 50, dallimi nuk është i madh por kryesorja është edhe kushti minimal është plotësu”, shtoi ajo.

Sipas saj, kandidatja Gecaj- Gashi nuk ka asnjë përparësi në krahasim me kundërkandidatin e saj.

“Kandidati Faton Sada është në vitin e 13-të tashmë që është asistent i rregullt në UP dhe është njëri prej asistentëve më të mirë, e mundeni me i pyet edhe studentët e dëshmojnë atë. Ai ka tregu një angazhim të jashtëzakonshëm si sekretar i katedrës me vite edhe ka kontribuar në të gjitha lëndët. Kurse kandidatja tjetër doktoresha Agreta, ka qenë e angazhuar tetë semestra si asistente e angazhuar me honorar, ajo dy herë ka apliku për mu zgjedhë si asistente e rregullt por është refuzuar për shkak të notës mesatare të ulët. Dy viteve të fundit ajo nuk është angazhuar po ashtu për arsyeje se ka pas kandidat tjerë që kanë plotësuar kushtet qysh në raundin e parë dhe nuk kemi mundur me pranu atë”, tha Hasani.

Megjithatë, rregullorja e UP-së lidhur me përzgjedhjen e stafit nuk specifikon nëse kandidati i zgjedhur duhet të ketë mesatare më të lartë ose më të ulët e as të jetë ose mos jetë i zgjedhur si Asistent i rregullt në fakultetin e Mjekësisë në UP.

Hasani gjithashtu mohoi të këtë miqësi të afërt me kandidatin Faton Sada dhe profesorin turk, ashtu siç pretendon Gecaj- Gashi.

“Sa i përket miqësisë unë personalisht kam ma shumë miqësi me doktoreshën Agreta se sa me asistentin Faton, me të cilin normalisht kemi marrëdhënie të mira në katedër si asistent dhe si koleg. Por me doktoreshën Agreta, unë kam miqësi edhe më të thellë. Edhe me profesorin nuk kemi ndonjë miqësi të posaçme, ne si katedër, kemi miqësi jo vetëm me profesorin turk por edhe me të Shqipërisë, Maqedonisë dhe tërë regjionin”, sqaroi ajo.

Pas kësaj, dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, propozoi Këshillin që të t’i jepet recension edhe kandidatit tjetër.

KALLXO.com ka raportuar të enjtën mbi pretendimet e kandidates Agreta Gashi-Gecaj.

Historiku i problemeve me këtë konkurs

Komisioni recensues i përbërë nga Antigona Hasani, Nehat Baftiu dhe Kemal Tolga Saracoglu më 27 nëntor ka marrë vendim që kandidatin Fatos Sada ta rekomandojë për pozitën e Profesorit Asistent në pozitën 51 sipas konkursit të fundit në UP.

Ata kishin vlerësuar se kandidati Sada i plotëson të gjitha kushtet e parapara me Statutin dhe Rregulloren e UP-së, duke përshkruar se ai posedon titullin Doktor i Shkencave të Mjekësisë, posedon publikime shkencore si autor i parë dhe si ko-autor, është Asistent i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë, ka notë mesatare në studimet themelore 8.87 dhe është nën moshën 50 vjeçare.

Në anën tjetër për kandidaten Gecaj- Gashi ata  kanë shkruar se nuk i plotëson kushtet e parapara me Statutin dhe Rregulloren. Kjo për shkak se  sipas komisionit recensues nuk ka qenë asnjëherë e zgjedhur si Asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë dhe ka notë mesatare 7.57, gjë që e disfavorizon në krahasim me kandidatin Sada.

Megjithatë, brenda këtij raporti  te përmbledhja e aktiviteteve shkencore në tabelat për kandidatët shkruhet se kandidatja Gecaj- Gashi ka të shënuara katër punime si autor kryesor dhe si autor korrespondent përkundër kandidatit Sada, i cili e ka vetëm një.

Në tabelën e publikimeve në revista ndërkombëtare dhe vendore, vërehet se kandidatja Gecaj- Gashi ka 20 ndërsa kandidati Sada ka 11 të tilla.

Kandidatja Gecaj- Gashi ka 27 publikime në konferenca, simpoziume, punëtori shkencore ndërkombëtarë si autore kryesore ose si autore korrespondente, ndërsa kandidati Sada ka 12 .

E publikime në konferenca, revista, simpoziume, punëtori shkencore të publikuara në Kosovë e në Rajon, kandidati Sada ka 13, ndërsa kandidatja Gecaj- Gashi ka 12.

Gecaj- Gashi ka 5 ligjërata- prezantime gojore shkencore në konferenca, simpoziume, punëtori shkencore dhe në universitete si ligjëruese e ftuar, ndërsa kandidati Sada ka 8.

Gecaj- Gashi ka një publikim si recensente në revistë akademike apo shkencore, kurse kandidati Sada nuk ka asnjë. E kontribute të tjera shkencore dhe profesionale kandidati Sada ka 3 përderisa kandidatja Gecaj- Gashi asnjë.

Pretendimet e kandidates 

Me rekomandimin e komisionit recensues nuk është pajtuar kandidatja, Agreta Gashi- Gecaj.

Ajo për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se vlerësimi është bërë kundër Rregullores, Statutit t UP-së dhe Ligjit për Arsimin e Lartë.

Sipas saj, as angazhimi si asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në UP dhe as nota mesatare nuk kërkohen sipas rregullores së fundit të UP për emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik.

Sipas rregullores së UP, për t’u zgjedhur profesor asistent, kandidati duhet që: të ketë gradën e doktorit të shkencës, të ketë numër të zgjedhur të monografive dhe publikimeve të shqyrtuara në revista ndërkombëtare shkencore, më së paku një punim kryesor të publikuar dhe të shqyrtuar në revista ndërkombëtare si autor i parë apo si korrespodent, të tregojë aftësi për mësimdhënie, të ketë së paku tre vjet përvojë pune në procesin mësimor në njërin prej institucioneve të Arsimit të Lartë së paku gjashtë semestra si dhe kandidati i cili zgjidhet për herë të parë nuk duhet të jetë më i vjetër se 50 vjet.

Në këtë rregullore nuk specifikohet nëse kandidati i zgjedhur duhet të ketë mesatare më të lartë ose më të ulët e as të jetë ose mos jetë i zgjedhur si Asistent i rregullt në fakultetin e Mjekësisë në UP.

Ajo thotë po ashtu se në rregulloren e Universitetin e Prishtinës kërkohet përvoja e punës si e zgjedhur ose e angazhuar së paku gjashtë semestra në njërën prej institucioneve të arsimit të lartë.

“Unë i kam 8 semestra në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Mjekësisë dhe 6 semestra në AAB, i cili me ligjet e Kosovës konsiderohet si institucion i arsimit të lartë”, thotë Gashi- Gecaj.

“Sa i përket punimeve mendoj se këtu bëhet diferenca, përvojën e kemi të barabartë, të dy jemi doktor shkence. Ai e ka vetëm një punim të indeksuar ndërsa unë i kam pesë punime edhe pse në vlerësimin e komisionit e kanë larguar një punim për shkak se e kanë cilësuar pa kritere edhe pse ai është i publikuar në një revistë prestigjioze me impakt faktor 27.5 dhe i cituar nga revista tjera prestigjioze, por ata janë munduar të minimizojnë punën time”, vazhdon ajo.

Më tej ajo shton se në dy platformat Web of Science dhe Scopus ka 13 publikime e në 5 prej tyre si autore e parë.

Gjithashtu, sipas saj, komisioni vlerësues nuk e ka zbatuar normën ligjore të nenit 8 të Statutit, i cili i detyron organet e Universitetit që të sigurojë barazi gjinore dhe në rastet kur kandidatët gra kanë të arritur profesionale si kandidatët burra, t’i jepet përparësi kandidates.

Ajo thotë se përveç se nuk e kanë zbatuar këtë nen të Statutit ata kanë thënë se kandidatja “nuk i plotëson kushtet”.

“Unë nuk jam favorizuese e favoreve në bazë të gjinisë mirëpo ne nuk jemi të barabartë. Unë kam shumë më tepër aktivitet shkencor dhe ajo e bën diferencën”, vazhdon ankuesja.

Gashi- Gecaj thotë po ashtu se komisioni ka vlerësuar si punim të kundërkandidatit një punim të saj të vitit 2005 në një konferencë në Tiranë.

Ajo thotë se sikur të vërtetoheshin këto punime të kundërkandidatit Sada, do të shihej qartë se Gashi- Gecaj është autore e parë dhe Sada është ko-autor dhe sipas saj, ky akt është përvetësim i punës së saj.

Më tej, ankuesja thotë se anëtari i tretë i komisionit recensues ka vlerësuar vetëm kundërkandidatin dhe jo atë. Gashi- Gecaj vë dyshime se anëtari Kemal Tolga Saracoglu nuk ka pranuar fare materialin e saj si kandidate për pozitën e Profesorit Aasistent.

Kandidatja thotë se përzgjedhja e anëtarit të tretë të komisionit është bërë në bazë të preferencave të kryetares së komisionit Antigona Hasani e cila sipas saj ka shoqëri me profesorin.

Gazeta JnK ka kontaktuar me komisionin vlerësues, përkatësisht Antigona Hasanin, Nehat Baftiun dhe Kemal Tolga Saracoglu.

Nga të gjithë anëtarët, vetëm Kryesuesja e komisionit, Antigona Hasani i është përgjigjur email-it.

Ajo nuk është përgjigjur në pyetjet me arsyetimin se është konsultuar me zyrën ligjore të Fakultetit të Mjekësisë dhe të njëjtit i kanë rekomanduar që të mos përgjigjet pasi konsiderohet ndërhyrje në vendimet e komisioneve dhe është konflikt interesi për kandidatët pasi që janë në fazën e shqyrtimit të recensioneve.

Ankuesja vë dyshime edhe punimet e prezantuara të kundërkandidatit te anëtari i tretë i komisionit.

Gashi- Gecaj duke cituar vlerësimit e anëtarit Kemal Tolga Saracoglu për kundërkandidatin Sada ku thuhet se ka qenë pjesëmarrës edhe në dy punime multicentrike Las Vegas dhe ETPOS.

“Duhet të ceki se ETPOS është një punim multicentrik nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve, ku kundërkandidati im nuk është pjesë e punimit, gjë që mund të dëshmohet me një qasje të lehtë në internet, ku shihet qartë që jo veç kundërkandidati, por as Kosova nuk janë fare”, deklaron ajo.

Ndër shumë pretendime Gashi- Gecaj thotë se i është larguar një punim ku ajo është recenzente në një revistë ndërkombëtare.

“Tjetër, askund nuk është cekur se unë kam qenë koordinatore nacionale në tri projekte ndërkombëtare multicentrike të organizuara nga Shoqata Evropiane e Anesteziologëve dhe të triat janë publikuar në revista me impakt shumë të lartë, kjo nuk është cekur askund edhe pse kanë pasur dëshmi të mjaftueshme komisioni”, thotë ajo.

Gashi- Gecaj tashmë ka bërë ankesë kundër vendimit të komisionit recensues për rekomandimin e kandidatit Fatos Sada.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me tre anëtarët e komisionit vlerësues, por kryesuesja e këtij komisioni, Antigona Hasani ka thënë se meqënëse konkursi është në fazën e shqyrtimit, nuk mund të japë sqarime momentalisht.

“Pas përfundimit të komisioneve përkatëse do të ju kontaktojmë”, ka shtuar ajo.

Lidhur me pretendimet e Gashi-Gecajt, është kontaktuar edhe kandidati tjetër, Fatos Sada, i cili ka thënë se do të përgjigjet. Megjithatë, redaksia nuk ka pranuar përgjigje nga ai deri në momentin  e publikimit të këtij artikulli.