Konkursi i ri për staf akademik, prodekanja e Fakultetit të Bujqësisë jep dorëheqje

Vetëm një ditë pasi u shpall konkursi për emërim, riemërim dhe avancim të personelit akademik nga Universiteti i Prishtinës, prodekanja e Fakultetit të Bujqësisë, Alltane Kryeziu ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj.

Prodekanja për mësimdhënie dhe çështje të studentëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Alltane Kryeziu ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për disa arsye parimore.

Në letrën e siguruar të KALLXO.com ajo ka dhënë dorëheqje më 5 maj, pasi sipas saj, në konkursin e hapur për staf akademik janë bërë shkelje procedurale nga ana e dekanatit me rastin e propozimeve për disa pozita të shpallura.

Kryeziu thotë se rektori i UP-së, Naser Sahiti, u ka dërguar dekanëve një kërkesë që të shpallen pozita që rrezikohen programet e akreditimit, e sipas saj, në disa pozita në këtë Fakultet nuk është përfillur kjo kërkesë e rektorit Sahiti.

“Në këtë rast pozita 14 dhe 16 e pikës XI të konkursit të datës 04.05.2022, të shpallur në UHPH, janë pozita të programit Mjekësi Veterinare, për të cilat aspak nuk është i rrezikuar programi për akreditim, sepse në këtë program janë jo më pak se 12 profesorë, e që duhet të jenë së paku 5 profesorë”, thuhet në letrën e saj.

Ajo ka shtuar se gjashtë nga këta 12 profesorë të rregullt nuk e kanë të plotësuar fondin e orëve dhe shpallja e këtyre pozitave në konkursin për staf akademik të UP-së është në kundërshtim me rregulloren e re për emërim, riemërim dhe avancim të stafit akademik.

“Për më tepër për pozitën numër 16 të këtij konkursi është shpallur lënda ‘Obsterika dhe Riprodhimi III, që profesor Behlul Behluli e ka në thirrjen e fundit. Po ashtu, për këtë pozitë, vendimi i kandidates për të cilën është bërë propozimi është për 3 vite dhe është i vlefshëm deri në vitin 2023”, ka shtuar Alltane Kryeziu.

Përvec këtyre pretendimeve, ajo ka shtuar se pozita 17 e konkursit në fjalë kërkon mësimdhënës nga gusha e Kimisë dhe sipas saj, ky propozim ka ardhur me arsyetimin se rrezikohet mos akreditimi i programit për mos bartës të lëndës së fushës për programin e Bioteknologjisë.

“Por, në fakt ky program është i nivelit master Shkenca e Ushqimit, për të cilin dyshoj shumë që do të zgjidhet problemi me këtë pozitë të shpallur sepse kimisti nuk ka kompetencë profesionale më të afërt se profesorët që kanë qenë bartës e që nuk janë pranuar të jenë më bartës nga AKA”, thotë prodekanja që ka ofruar dorëheqjen.

Ajo ka shtuar se kjo pozitë e shpallur në konkurs të rregullt bartë rrezikun për mos akreditim të këtij programi edhe për vitin e ardhshëm akademik.

“Shpallen pozita të panevojshme të sipër cekura, në vend së të ofroheshin pozita të domosdoshme për programet e departamentit të Agro-Ekonomisë të cilat janë të rrezikuara për mos-akreditim”, ka shtuar ajo më tej në letrën e dorëheqjes.

Prodekanja në dorëheqje në fund ka thënë se të gjitha këto janë bërë nga ana e dekanatit, pa konsultim me prodekanët.

“Dhe është shfrytëzuar koha kur unë si prodekanë edhe 3 anëtarët e Departamentit të Bioteknologjisë dhe Zootekni në mesin e tyre edhe shefi i Departamentit, kemi qenë në vizitë zyrtare në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Savonisë në Finlandë”, ka shtuar ajo.

Letra e dorëheqjes e prodekanes, Alltane Kryeziu.

KALLXO.com ka dërguar pyetje tek dekani i këtij Fakulteti, Bedri Dragusha, por nuk ka kthyer përgjigje. Ai nuk i është përgjigjur as telefonatave.

KALLXO.com po ashtu ka dërguar pyetje edhe në Rektorat të Universitetit të Prishtinës dhe është duke pritur përgjigje.

Konkursi i ri për emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës është hapur më 4 maj.

Konkursi është i hapur më 18 maj dhe konkursi i plotë është në këtë link.

UP hap konkurs për emërim, riemërim dhe avancim të personelit akademik

.