Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konfirmohet heqja e tarifave për studentët e arsimit të lartë

 

Organizata studentore ‘Studim Kritikë Veprim’ ka bërë të ditur se është konfirmuar kërkesa për heqjen e të gjitha tarifave për shkollim në Universitetet Publike.

Përmes një postimi në Facebook kjo organizatë ka njoftuar së kërkesës i është përgjigjur zëvendësministri Dukagjin Pupovci i cili ka konfirmuar që studentët e nivelit Bachelor dhe Master do të lirohen nga pagesat semestrale me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë.

SKV thotë se kërkesën për heqjen e të gjitha tarifave për shkollim duke filluar nga viti akademik 2021/2022 e kanë dërguar të martën drejtuar Ministres së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci.

“Arsimi i lartë publik pa pagesë ka qenë një nga prioritetet kryesore të SKV-së që nga themelimi i saj. Që nga viti 2010 kemi kërkuar që një kërkesë e tillë të realizohet, por studentët nuk ishin asnjëherë prioritet i qeverive të kaluara”, thuhet në njoftim.

Një gjë e tillë është përmendur edhe në planprogramin e qeverisë.

“Ne jemi për arsim publik falas. Në institucionet publike do të hiqen tarifat për pagesën e semestrit”, thuhet në planprogram.

Bashkangjitur gjeni përgjigjen e plotë të zëvendësministrit Pupovci dërguar organizatës SKV:

 

Të dashur studentë,

Ju faleminderit për shkresën tuaj të dt. 13 korrik 2021, së cilës, me kërkesën e Ministres Nagavci, po i përgjigjem unë.

Konform zotimeve të prezantuara në Programin Qeverisës 2021-2024, jemi duke punuar në rishikimin e Udhëzimit Adminisitrativ Nr. 17/2014 për aplikimin e pagesave të studentëve në universitetet publike. Ideja është që studentët e nivelit Bachelor dhe Master të lirohen nga këto pagesa me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë. Në këtë mënyrë, të gjithë vihen në pozitë të barabartë dhe, njëkohësisht, nxiten që t’i kryejnë me kohë obligimet e tyre në mënyrë që të mos shpenzojnë kot për përsëritje të panevojshme të semestrave. Jemi duke analizuar mundësinë që edhe studentët e doktoratës t’i lirojmë nga disa pagesa që nuk janë në konformitet me praktikat ndërkombëtare dhe rajonale. Kur bëhet fjalë për pagesat administrative (aplikimi me rastin e regjistrimit në Universitet, lëshimi i dokumenteve duplikat, ndërrimi i programit të studimeve, etj.) ato mbeten sepse bëjnë pjesë në kategorinë e shërbimeve që nuk kanë një dinamikë të përcaktuar dhe mund të kërkohen disa herë.

Besojmë se gjatë muajit gusht drafti i Udhëzimit Administrativ të rishikuar do të del në konsultim publik me ç’ rast mirëpresim kontributin tuaj përmes platformës qeveritare të konsultimeve publike ( https://konsultimet.rks-gov.net/institutions.php) ose në forma të tjera të përshtatshme.

Duke ju falenderuar edhe një herë për interesimin tuaj, ju dëshiroj pushime të këndshme verore.

Gjithë të mirat,

Dukagjin Pupovci