Komunës së Ferizajt përmbaruesit ia marrin paratë, objekti i ri i shkollës në Komogllavë mbetet pa inventar

Përballë objektit të shkollës fillore “Besim Rexhepi”, në Komogllavë të Ferizajt para pesë viteve filloi të ndërtohej një objekt i ri për të njëjtën shkollë.

Me tualete jashtë objektit në të cilin nxënësit mësojnë, me stufa për ngrohje në secilën klasë, banka dhe karrige të vjetruara, pa dysheme, mjete të nevojshme për parafillorët, janë kushtet në të cilat mësojnë rreth 300 nxënësit e kësaj shkolle.

Hidajet Qazimi, drejtoreshë e shkollës fillore të mesme të ulët “Besim Rexhepi” ka thënë se zhvillimi i mësimit në objektin e vjetër ka vështirësi.

“Mungesa e inventarit ka bërë që ky mësim të zhvillohet në objektin e vjetër për të cilën kemi mjaft vështirësi, duke filluar nga tualetet që janë larg objektit shkollor, mungesa dhe vjetërsia e madhe e inventarit, që vetë një objekt i vjetër nuk  mund t’i plotësoj kushtet për një mësim normal, sidomos në kohë të pandemisë”, ka thënë Qazimi.

Drejtoresha e shkollës tregon se punimet në objekt kanë përfunduar dhe se gjysmë vjetori i dytë ishte planifikuar të fillonte në objektin e ri.

“Mësimi në objektin e ri është dashur të fillojë me fillim të këtij viti shkollor, mirëpo kanë dalur disa probleme të cilat i ka shkaktuar edhe pandemia gjë që i ka ngadalësuar, mirëpo aktualisht punimet në shkollën e re janë përfunduar dhe pengesa e vetme është mungesa e inventarit ajo që ka shkaktuar që ne të mos fillojmë mësimin në objektin e ri për të cilin kemi shumë nevojë”, ka thënë Qazimi.

Sipas drejtorit të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, inxhinierët nuk kanë bërë pranimin teknik të objektit të ri dhe mungesa e inventarit ka shtyrë që mësimi të vazhdoj në objektin e vjetër.

“Faktori kryesor që ka ndikuar ka qenë që paratë që kanë qenë të dedikuara për këtë shkollë janë marr nga përmbaruesit më herët dhe nuk kemi mundur ta procedojmë këtë procedurë për të përshpejtuar përfundimin e punimeve”, ka thënë Llabjani.

Ndërtimi i objektit të ri të shkollës ka kushtuar rreth 400 mijë euro, ndërsa mësimi pritet që më së largu të filloj më 1 shtator të vitit 2021.