Komuna e Prizrenit fillon mësimin online

 

Me datë 11 mars Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kanë përpiluar udhëzimet se si duhet të mbahet mësimi online.

Kjo mënyrë do të zbatohet deri në funksionalizimin e platformës për mësimin në distancë të paralajmëruar nga ana e Ministrisë së Arsimit.

“Me qëllim të ofrimit të mësimit alternativ për nxënësit gjatë kësaj kohe sa janë në pushim, Drejtoria Komunale e Arsimit në bashkëpunim me drejtorët e shkollave dhe zyrtarë arsimorë ka përpiluar udhëzimet se si duhet të mbahet mësimi në distancë“, thuhet në njoftimin e Komunës.

Si zgjidhje e përkohshme sipas mundësive teknike dhe organizative është komunikimi online nëpërmjet aplikacionit “Google Classroom”, ky program konsiderohet shumë i thjeshtë dhe praktik për formimin e klasave ose lëndëve virtuale, e që është i mundur të përdoret nëpërmjet kompjuterit apo telefonit të mençur me qasje në internet.

Komuna e Prizrenit nëpërmjet kësaj platforme dhe qasjes në internet synon që nxënësit të kenë komunikim të drejtpërdrejtë me mësimdhënësit e tyre, si dhe mund t’i pranojnë detyrat dhe më pas t’i kryejnë ato nga shtëpia, ndërsa organizimi i mësimit dhe plani i punës u mbetet të caktohet nga mësimdhënësit.

Më poshtë gjeni linkun e kësaj platforme dhe videon udhëzuese për përdorim: LINK

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur, ndërsa janë shëruar mbi 79 mijë persona.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.