Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Komuna e Gjakovës largon nga puna mësimdhënësen, kjo e fundit thotë se i është bërë e padrejtë

Komuna e Gjakovës me datë 29 gusht të vitit 2018, ka lëshuar një vendim ku në të thoshte se mësimdhnëses Shqipe Sada i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Shqipe Sada deri në atë kohë kishte punuar si arsimtare e gjuhës angleze në shkollën fillore ‘Pjetër Muqaj’ në fshatin Guskë të Gjakovës.

Ajo pretendon se komuna ia ka ndërprerë kontratën pa të drejtë.

Pretendimet e të dyja palëve shkuan deri në gjykatë. Themelorja në Gjakovë vendosi në favor të Sadës, ku në vendimin përfundimtar obligonte komunën e Gjakovës që ta kthente atë në punë.

Kjo e fundit u ankua në Gjykatën e Apelit dhe lënda ende vazhdon të jetë në procedurë.

Në vendimin për ndërprerjen e kontratës, komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, arsyetohet për kualifikimin e Sadës.

DKA-ja pretendon se kualifikimi i Shqipe Sadës është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimin Administrativ për Vlefshmërinë e Programeve Studimore të Bartësve Privat të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Shqipe Sada ka titullin Bachelor dhe Master të gjuhës angleze, të fituar në kolegjin privat ‘AAB’.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), me 21 korrik të vitit 2018, ka nxjerrë një Udhëzim Administrativ (10/2018) për Normativin mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm, udhëzim i cili parasheh që ‘mësimdhënësit të cilët janë në marrëdhënie pune në institucionet e arsimit parauniveristar me gradë kualifikimi Bachelor trevjeçar me 180 ETCS që kanë më shumë se 6 vjet përvojë pune në arsim dhe që kanë lincencë të mësimdhënësit, e vazhdojnë punën në profesionin e tyre deri në përfundimin e vitit shkollor 2020-2021.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Sada thotë se komuna e Gjakovës nuk ka respektuar Udhëzimin Administrativ të lëshuar nga MASHT-i dhe një Udhëzim tjetër, që thotë se diplomat e kolegjeve private trajtohen barabartë me atë të universiteteve publike.

“DKA nuk respektoi UA 2/2017 ku të gjithë të diplomuarit në kolegje private të cilët janë të licencuar dhe të akredituar duhet të trajtohen të barabartë me studentët e diplomuar në UP. DKA nuk zbatoi UA 9/2014, udhëzim mbi moshën në të cilin thuhet se të gjithë mësimdhënësit që janë mbi moshën 51 vjeçare , kanë më shumë se 3 vjet punë, vazhdojnë avancimin profesional pa shkepëtje nga puna me vetëdeshirë dhe performancat e shkelqyera iu sigurojnë licenca të avancuara”, thotë Sada në pretendimin e saj.

Ajo gjithashtu ka treguar se ka përvojë pune 13 vjeçare si arsimtare e gjuhës angleze.

KALLXO.com ka kontaktuar Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë për të kuptuar arsyet e ndërprerjes së kontratës për Shqipe Sadën.

Në një përgjigje me shkrim, DKA-ja thotë se është bazuar pikërisht në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimin Administrativ nr 10/2018.

“Drejtoria e Arsimit në Gjakovë ka nxjerrur vendim me të cilën znj.Shqipe Sada iu është bërë shkëputje e marrëdhënies së punës, pasi kualifikimi i saj është në kundërshtim me Ligjin Për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës si edhe në kundërshtim me nenin 1 të Udhëzimit Administrativ për Vlefshmërinë e Programeve Studimore të Bartësve Privat të Arsimit të Lartë, duke ditur atë se kualifikimi i saj është në kundërshtim me nenin 5 paragrafin 5 të Udhëzimit Administrativ Nr.10/2018”, thuhet në përgjigjen e DKA-së.

Gjykata Themelore në Gjakovë me datë 26 mars të këtij viti, ka nxjerrur aktgjykimin në favor të Shqipe Sadës, ku obligon komunën e Gjakovës që ta kthej në punë dhe t’ia kompensoj të gjitha të ardhurat personale të pa realizuara.

Në anën tjetër, Shqipe Sada thotë se kërkesa e saj është që komuna ta tërheqë ankesën në Gjykatën e Apelit, për shkak të moshës së saj dhe se paga e arsimtares është i vetmi burim i të ardhurave për të. Një gjykim në Gjykatën e Apelit, sipas Sadës, do të merrte shumë kohë.

Kurse Komuna e Gjakovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë dhe lënda ende është në procedure dhe  deri më tani asnjë seancë nuk është mbajtur.