Kompania e Shukri Klinakut padit MAShT-in lidhur me botimin e teksteve të reja

Shtëpia botuese ‘Luarasi’ ka paditur Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për diskriminim në zgjedhjen e fituesve të ankandit për botimin e teksteve të reja shkollore.

Kjo kompani në padinë e dorëzuar më 26 korrik po kërkon nga Gjykata e Prishtinës që të anulojë ekzekutimin e vendimeve të Ministrisë për botimin e teksteve shkollore dhe konkursi të kthehet në pikën fillestare.

Kompania ‘Luarasi’ është në pronësi të profesorit universitar, Shukri Klinaku i cili ligjëron në departamentin e Fizikës në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

Në padinë që e ka siguruar KALLXO.com, Klinaku rendit disa shkelje që sipas tij MAShT i ka bërë në tërë procesin e zhvillimit të teksteve të reja.

MAShT kishte shpallur dy konkurse publike për tekstet shkollore dhe materialet mësimore, i pari për klasat 0, 1, 6 dhe 10 i shpallur më 26. 04. 2018 dhe konkursi për klasat 2, 7 dhe 11, i shpallur më 31. 08. 2018.

Më 20 qershor, MAShT kishte bërë publike një listë të fituesve për botimin e librave.

‘Luarasi’ kishte qenë pjesë e të dy konkurseve, mirëpo nuk u shpall fituese.

Vetë Klinaku ka thënë për KALLXO.com se po pret një vendim ligjor nga gjykata për “ të gjitha shkeljet që i ka bërë MASHT-i në këtë proces: jo transparencë, marrje e vendimit nga organet jokompetente, vonesë e përgjigjës në ankesa dhe përgjigje jo adekuate në ankesa”.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë thënë se ende nuk kanë informacione lidhur me këtë padi.

“Lidhur me çështjen në fjale ne nuk kemi pranuar asgjë zyrtarisht. Gjithsesi është e drejtë e shtëpive botuese per te ndjekur rrugët ligjore nëse mendojnë që janë dëmtuar ne proces”, tha Valmir Gashi, këshilltar i Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi.