Komisioni për Arsim, u jep përkrahje kandidatëve të dërguar nga Qeveria për anëtar të Këshillit Kombëtar të Shkencës

Me 7 vota për dhe 1 abstenim, Komisioni për Arsim, i ka dhënë përkrahje kandidatëve të dërguar nga Qeveria për anëtar të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Megjithatë, mbledhja e Komisionit parlamentar për Arsim, u zhvillua me polemika mes anëtarëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.

Në pikën e rendit të ditës për kandidatët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, i cili tha se është e rëndësishme që të votohen anëtarët, pasi Këshilli është jo aktiv që nga viti 2011.

Këshilli është një trup profesional për kërkime dhe përbëhet prej 15 anëtarëve dhe sipas ligjit në këtë Këshill duhet të sigurohet përfaqësim adekuat i të gjitha institucioneve shkencore.

“Hartimi i programit kombëtar të shkencës ai dokument bazë për kërkim shkencor. Kosova s’ka prej qershorit të vitit 2011 Këshill të Shkencës, kurse programi prej vitit 2015 ka skaduar”, shtoi Pupovci.

Ai shtoi se kandidatët e propozuar janë nga 6 fusha të ndryshme dhe tha se janë të propozuar nga të gjitha institucionet që merren me shkencë.

Anëtarja e këtij Komisioni nga LDK, Vlora Dumoshi, tha se mungojnë materialet se cilat institucione kanë bërë propozimet për këta kandidatë.

Pupovci tha se ka pasur propozime nga Akademia e Shkencave, Instituti Albanologjik, Universitetet Publike, Kolegjet Private, vetëm Instituti i Historisë s’ka dërguar propozime.

Anëtarja nga AAK, Albena Reshitaj tha se është mirë që anëtarët të mos ndikohen politikisht.

“Është mirë që të emërohet Këshilli dhe normalisht është mirë që është bërë një shtrirje multidimensionale gjithëpërfshirëse dhe shpresoj të punojnë të pavarur politikisht. Avancimi i arsimit do të bëhet përmes këtij Këshilli të Shkencës dhe shpresoj që të ketë sa më pak ndikim nga politika”, tha ajo.

Kryetar i Komisionit, Ardian Gola tha se do të ishte mirë të dorëzohen edhe CV-të e kundër kandidateve të tjerë.

“Vetëm për korrektësi dhe për shkak të procedurës, unë çka mund të them është një përbërje e mirë të cilën e mbështes”, tha Gola.

Edhe anëtarja nga PDK, Eliza Hoxha tha po ashtu që është mirë të dorëzohen CV e kandidatëve dhe lista e gjithë aplikantëve për këto pozita.

“Kish me qenë mirë me pa nëse procesi ka qenë transparent, është mirë me pa gjithë listën e aplikantëve, CV-të e tyre dhe me besu se janë përbërja më e mirë për zgjedhje”, tha ajo duke kërkuar që pas kësaj diskutimi të bëhet pa prezencën e Pupovcit.

Pasi doli Pupovci nga mbledhja, kryetari i Komisionit, Ardian Gola kërkoi që të votohen anëtarët e propozuar nga Qeveria.

Por me këtë nuk u pajtua Eliza Hoxha.

“Nuk mendoj se duhet ta votojmë sepse kam pasur ankesa dhe kisha kërkuar që CV-të e kandidatëve që janë nominuar me i pa, sepse Qeveria e ka bërë punën e vet dhe theksohet mos me na mbet pikëpyetje ose brengë, por e kemi obligim si çështje që na vijnë, me i pa ato CV dhe me vendos në mbledhjen e radhës”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti nga LVV, Fitim Uka tha se nuk ka asgjë kundër të shihen CV-të, por se shtroi kërkesën për votim të anëtarëve në mënyrë që ata të dërgohen më herët.

Sërish, kundër kësaj reagoi Eliza Kurse, Hoxha.

“Edhe njëherë sa me qartësim unë bëra kërkesë me i pa dhe me kërku sqarime dhe s’thashë në aspektin juridik e as përmbajtën, thjeshtë kërkova me pa pjesën tjetër të CV, s’jemi t’u ja marrë mandatin qeverisë, por nëse nuk ka diçka në rregull kemi mandat me bë sqarim, po supozoj, por ju veproni si të doni dhe kjo s’ka të bëjë me të qenit në opozitë”, tha Hoxha.

Qeveria ia dërgon Kuvendit për votim emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës