Komisioni për Arsim pritet t'i mbajë tri diskutime publike për Projektligjin për Agjencinë e Akreditimit

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në mbledhjen e sotme vendosi që të mos formojë grupe punues për shqyrtimin e dy projektligjeve, por të organizohen diskutimet publike me të gjithë aktorët.

Diskutimet publike do të mbahen për Projektligjin për Agjencinë për Akreditim të Kosovës si dhe Projektligjin për Arkiva Shtetërore.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola tha se për Projektligjin për AKA-në është planifikuar që të mbahen tri diskutimet publike, në të cilat do të përfshihen të gjithë aktorët, siç janë rektorët e gjithë universiteteve publike dhe institucioneve private të arsimit të lartë.

Antëarja e Komisionit për Arsim nga PDK-ja, Eliza Hoxha tha se nuk është e kënaqur me Projektligjin e AKA-së, duke thënë se ka probleme në proces dhe në përmbajtje.

“Grupi punues nuk e ka marrë parasysh asnjë rekomandim që i është dhënë për këtë projektligj. Veç një koment nga zyra e BE-së është përfshirë… Për mua është më mirë me u rikthy prej fillimit në grupin punues të Ministrisë së Arsimit, pasi kam pakënaqësi edhe për këtë grup sepse nuk janë të përfshirë të gjitha organizatat që merren me arsim”, tha Hoxha.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim nga radhët e LVV-së, Ardian Gola tha se nuk pajtohet që të kthehet Projektligji për AKA-në në pikën zero.

“Nuk po mendoj që kemi arsye me kthy projektligjin prapa, por ne bëjmë punën tonë dhe organizojmë tri diskutime publike dhe i japim një fund sa më të mirë”, shtoi ai.

Anëtarja nga LDK në këtë komision, Vlora Dumoshi tha se në diskutimet publike nuk duhet të përjashtohet askush prej institucioneve të arsimit të lartë, përfshirë ato private dhe publike.

Ajo shtoi së është e pakënaqur me përformancën e Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës, pasi sipas Dumoshit, për 1 vjet kanë ardhur vetëm 2 projektligje.

Në fund, Komisioni u pajtua që të organizojnë diskutime publike për këtë projektligj.

Projektligji për Agjencinë e Akreditimit pritet të rregulloj statusin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe është propozuar të jetë si agjenci rregullatore në proceset dhe përgjegjësitë e akreditimit, riakreditimit, validimit, monitorimit me qëllim të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Republikën e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës javën e kaluar e ka miratuar në parim Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe atë për Arkiva Shtetërore.

Miratimi i Projektligjit për AKA-në është edhe kriter për riaplikim të AKA-së për rikthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe regjistrimin në Regjistrin Evropian për Rritje të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).