Shkolla Fillore "Hasan Prishtina", Prishtinë, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

KOMF njofton mbi 500 raste të incidenteve në shkolla vetëm gjatë 2023, 45 prej tyre janë raportuar në SMIA

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka njoftuar se gjatë vitit 2023 janë raportuar nga Policia e Kosovës 564 raste të incidenteve që kanë ndodhur në shkolla dhe përreth tyre.

Këtë numër të incidenteve që kanë ndodhur në shkolla, KOMF nuk e ka gjetur në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim (SMIA), madje numri i gjetur është më i vogël se 50 raste.

Sipas Koalicionit, ka tendenca për t’i mbajtur të fshehura rastet e dhunës që ndodhin në shkolla.

“Vetëm 𝟒𝟓 𝐫𝐚𝐬𝐭𝐞 të dhunës janë raportuar në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim – SMIA. Arsyeja kryesore e raportimit të ulët në SMIA mbetet tendenca për t`i mbajtur të fshehura rastet e dhunës për të ruajtur një imazh pozitiv të shkollës” – thuhet në njoftimin e KOMF, më 08.11.2024.

Si rrjedhojë, KOMF ka treguar se çfarë veprime duhet ndërmarrë ndaj dhunës e parandalimit të saj në shkolla.

Nga KOMF rekomandojnë që të sigurohen mjedise miqësore, të shëndetshme e të sigurta, ku nxënësit gjejnë mbështetje nga mësimdhënësit dhe kanë pjesëmarrje aktive.

Të themelohen programe të dedikuara për fëmijët prej moshës së fëmijërisë së hershme me qëllim njohjen e formave të dhunës, raportimin, pranimin e diversitetit, parandalimin e bullizmit dhe të tjera.

Më tej, rekomandohet ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në lidhje me parandalimin dhe trajtimin e dhunës, monitorimi i zbatimit të Protokollit për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në institucionet e Arsimit Parauniversitar, zbatimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucione arsimore dhe përfshirjen e të gjitha shkollave në programin e ndërmjetësimint mes moshatarëve.

Në anën tjetër, në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 12.04.2023, ‘Dhuna në shkolla’, ka qenë temë e diskutimit.

Në dy muajt e parë të vitit 2023 sipas Policisë së Kosovës u shënuan 92 raste të dhunës në shkolla.

Kurse, gjatë vitit 2022, të dhënat nga Policia tregojnë se janë raportuar 600 incidente të dhunës në shkolla, 14 prej të cilave kanë qenë me armë zjarri.