Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, - Foto: KALLXO.com
KOMF flet për rëndësinë e edukimit seksual të fëmijëve në shkolla
Pas diskutimit publik në lidhje me doracakët për mësimdhënës për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka reaguar duke theksuar rëndësinë e edukatës seksuale te fëmijët.
Sipas KOMF, edukata seksuale është një pjesë thelbësore e zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre fizik, emocional dhe mendor.
“Një edukim i tillë është vendimtar për t’i ndihmuar ata të kuptojnë ndryshimet trupore, marrëdhëniet, përgjegjësitë dhe kufijtë personalë, duke rritur mundësinë e mbrojtjes nga rreziqet dhe duke i fuqizuar ata për të bërë zgjedhje të shëndetshme dhe të informuara” – thuhet në reagimin e KOMF më 14.11.2024.
KOMF konsideron se edukata seksuale përbën një të drejtë të garantuar për fëmijët pasi mbështetet në nenin 17 të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, i cili kërkon që shtetet të sigurojnë qasje për fëmijët në informacione dhe materiale nga burime të ndryshme për përfitimin e tyre shoqëror dhe moral.
“Gjithashtu, Neni 19 [në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve] kërkon që shtetet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë masat edukative për t’i ndihmuar ata të jenë të informuar dhe të mbrojtur” – kanë shtuar nga KOMF.
KOMF shpreh mbështetjen e tij ndaj Ministrisë së Arsimit për integrimin e edukatës seksuale në arsimin parauniversitar në Kosovë.
“Ky integrim reflekton edhe obligimet që burojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës në Kosovë, ku në Nenin 7 përcaktohet e drejta e çdo fëmije për mbrojtje nga çdo formë dhune, abuzimi dhe shfrytëzimi, si dhe e drejta për qasje në arsimim gjithëpërfshirës dhe cilësor, përfshirë edukatën shëndetësore dhe seksuale” – kanë thënë nga KOMF.
Po ashtu, KOMF ka kërkuar që të rishikohen dhe redaktohen tesktet, doracakët si dhe çdo material tjetër që kontribuon në arritjen e rezultateve në këtë fushë, pasi Koalicioni vlerëson se në këtë mënyrë do të eliminohen mundësitë për keqkuptime dhe interpretime të ndryshme tek profesionistët që zbatojnë këto materiale.
“Gjithashtu, është e rëndësishme që tekstet, doracakët dhe materialet të jenë të qasshme edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke përfshirë udhëzime të përshtatura dhe materiale të qasshme për ta. Por, nuk duhet të lejohet asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona. Një veprim i tillë jo vetëm do të nënkuptonte mohim të së drejtës themelore të secilit fëmijë për të qenë i informuar dhe i mbrojtur, por edhe do të na largonte nga parimet e Bashkimit Evropian” – ka theksuar KOMF.
KOMF mendon se nuk duhet lejuar që fëmijët të privohen nga e drejta për informim dhe për parandalim të dhunës dhe abuzimit seksual, dhe se një edukim i bazuar mbi të drejtat e njeriut dhe shëndetin seksual është thelbësor për t’i përgatitur ata për marrëdhënie të sigurta, si dhe për të krijuar një bazë për zhvillimin e shëndetshëm emocional dhe social të tyre.
Diskutimi publik për doracakët për mësimdhënës për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues filloi pasi deputeti Eman Rrahmani në seancën e Kuvendit të Kosovës më 11.11.2024 foli për këta doracakë.
Sipas deklaratës së deputetit Rrahmani, është një kurrikulë përmes së cilës mësohet se si mësimdhënësit t’u tregojnë fëmijëve prej klasës së parë deri në klasën e 12-të se si t’i kryejnë marrëdhëniet seksuale.
Pasi u përfolë nga qytetarët dhe u raportua në media kjo temë, Ministria e Arsimit reagoi më 13.11.2024 duke bërë të ditur se doracakët në fjalë nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.
Ministria e Arsimit tha po ashtu se nuk ka ndonjë kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual.
Në sqarimin e Ministrisë u tha se janë katër doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër dhe këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga ta më 10.02.2020.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit janë të publikuar tre doracakë për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues – doracaku për klasët 1 – 5, për klasët 6 – 9 dhe klasët 10 – 12. Të tre këta doracakë janë të publikuar më 07.08.2023.
Ndërsa, deputeti Rrahmani ka folur në Kuvendin e Kosovës për një aktivitet që kërkohet ta bëjnë nxënësit e klasave 1 – 5 sipas doracakut për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues të këtij niveli të klasave, i cili aktivitet ndodhet në faqen numër 107.
Tutje, u shtua se propaganda që po zhvillohet ditëve të fundit, shoqëruar me dezinformata dhe manipulime duke konstatuar se këta doracakë janë kurrikula arsimore e pastaj duke i paraqitur si libra shkollorë për nxënës e deri tek obligueshmëria e zbatimit të tyre, është në dëm të mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve.
Ashtu siç ka kërkuar edhe KOMF, Ministria e Arsimit premtoi se në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet e tjera informative për mësimdhënës.
Ministria deri më tani ka një raport të fazës së parë të rishikimit të teksteve mësimore të klasave 1 – 9, të lëndëve Matematikë e Gjuhë Shqipe.