'Kësulëkuqja' bëhet 'Borëbardha' në tekstin e ri të Gjuhës Shqipe

Përrallës së “Kësulëkuqes” i është ngatërruar personazhi kryesor i tregimit në librin e ri shkollor të klasës së gjashtë të Gjuhës Shqipe, të hartuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

“Kësulëkuqja” tani është shndërruar në “Borëbardhë”.

Përmbajtja e këtij tregimi është publikuar në rrjetin social Facebook dhe ka ngjallur reagime të shumta.

Për këtë autorët e librit kanë thënë se është një lëshim teknik, derisa kanë shtuar se edhe kanë qenë në presion kohor.

Autori Bardh Rugova tha se ndryshimi i emrit të përrallës së “Kësulëkuqes” ka qenë një gabim teknik.

Ai gjithashtu tha se ka qenë në dijeni se mund të ketë gabime të tilla dhe se ka kërkuar që në librin e Gjuhës Shqipe të mos dalë emri i tij si autor.

“Qëndrimi im është se unë kam bashkëpunuar për atë libër dhe kur ka ardhur puna që është shpejt me u kry, s’kemi pasë kohë me i bë përmirësimet që unë kam dashur t’i bëj, atëherë unë kam kërkuar që mos me qitë emrin tim. Unë kam thënë merreni përmbajtjen, s’ka problem, bëni çka të doni, por unë nuk pranoj me qitë emrin tim, pra pa autorizimin për qitjen e emrit tim”, tha Rugova.

“Unë kam punuar në atë libër, kam ndihmu për hartimin, mirëpo,  kur ka ardhur koha për rregullimet dhe detajet teknike të cilat janë dizajnet, dhe ai është gabim teknik, gabim shumë i vogël teknik, i parëndësishëm, por dua ta sqaroj rolin tim, sepse e kam ditur që ka me pasë kësi lloj gabimesh teknike dhe nuk na është dhënë kohë me shiku edhe njëherë dhe kam kërkuar që të mos jetë emri im aty”, shtoi ai për KALLXO.com.

Edhe autori tjetër i librit Gjuha Shqipe për klasën e 6-të, Shpëtim Elezi, tha se është një lëshim teknik.

“Si bashkautor i tekstit është një lëshim jo përmbajtësor por teknik. Saktësisht është vetëm një ngatërresë e emrave të personazheve të njohura, dhe siç mund të shihet në fillim të faqes së librit. njësia është përmbledhje dhe jo përralla “Borëbardha” apo ‘Kësulëkuqja’, nuk është njësi mësimore, përralla e caktuar është thjeshtë një tekst i paralexuar dhe i njohur mirë nga nxënësit. Kurse fotografia pasuese është krejt gabim teknik dhe titulli ‘Borëbardha’”, tha Elezi për KALLXO.com.

Elezi shtoi se kanë qenë në presion të kohës dhe ka mundur të ndodhë një gabim i tillë.

“Megjithatë na vjen keq për këtë lëshim dhe na ka ikur, dhe në rastin e parë të mundshëm do ta korrigjojmë. Lëshimi ka mundur të ndodhë edhe për shkak të kohës së shkurtër, ngase në çdo fazë të tekstit kemi pasur një trysni të vogël  për afatet e caktuara kohore”, tha Elezi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në MAShT për të kërkuar sqarim rreth kësaj çështje, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Përmbajtja e këtij teksti ishte publikuar edhe në një grup të mësimdhënësve në Facebook.

Historiku

Tekstet e reja shkollore janë përpiluar këtë vit dhe nga ky vit shkollor fëmijët do të mësojnë me to.

Në qershor ishte publikuar lista përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët kanë përgatitur tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11.

Sipas kësaj liste librat e nxënësve janë përgatitur nga shtëpitë botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Në lidhje me këto tekste, nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSh) kishin dhënë dorëheqje disa anëtarë të saj, pasi sipas tyre ka pasur shkelje në procesin e teksteve të reja shkollore.

Ndërsa instituti EdGuard kishte thënë se në tekstet e reja shkollore nuk ka ndonjë përmirësim substancial dhe ka tekste që janë shumë të përsëritura.

Për këtë çështje kishte raportuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në Komisionin për Arsim.

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT-it çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të  gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) janë gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.

Analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë i janë nënshtruar 22 tekste shkollore të lëndëve Biologji, Edukatë Qytetare, Histori, Psikologji dhe Sociologji të klasave të 10, 11 dhe 12.

Parametrat në bazë të të cilëve janë analizuar këto tekste shkollore janë gjinia dhe seksualiteti, kombi, etnia dhe raca, të drejtat e njeriut, trupi dhe aftësia, diversiteti dhe barazia shoqërore.

KALLXO.com pati raportuar për përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri Njeriu dhe Natyra të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se shkruhet që zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.