Foto: Këshilli i Prindërve i Kosovës/Facebook

Këshilli i Prindërve të Kosovës: Nuk duhet të përdoren nxënësit për të ngritur ose shtyrë interesat

Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës (KPK) ka mbajtur takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Përmes një njoftimi të KPK-së bëhet e ditur se dy palët ranë dakord që sistemi arsimor duhet ta ketë prioritet interesin e nxënësve dhe të mos përdoren për shtyrje të agjendave të caktuara.

“Dyja palët ranë dakord që sistemi arsimor në Kosovë, në të gjitha nivelet, duhet të kenë prioritet të padiskutueshëm interesin e nxënësve. Asnjë institucion apo organizatë nuk duhet të përdorë nxënësit për të ngritur ose shtyrë interesa dhe agjenda të caktuara dhe se të gjitha palët e interesit duhet të veprojnë duke pasur këtë në mendje” – thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim potencohet se pika të diskutimit në këtë takim të dytë të Kryesisë së re të KPK-së me ministren Nagavci, pas atij të korrikut, ishte diskutimi për procedurat e ndryshimit të udhëzimit administrativ për KPK-në dhe bazën tjetër ligjore për organizimin dhe funksionimin e KPK-së në të gjitha nivelet.

Gjithashtu, Kryetari i KPK-së, paraqiti nevojën që Këshilli i Prindërve të ketë mbështetje institucionale nga Ministria e Arsimit që të mund t’iu shërbejë nevojave dhe kërkesave të shumta që prindërit kanë në mbarë Kosovën.

Ministrja Nagavci, sipas njoftimit të KPK-së, shprehu gatishmërinë institucionale për ta mbështetur Këshillin e Prindërve të Kosovës dhe për të ngritur bashkëpunimin e mëtutjeshëm në të mirë të prindërve e fëmijëve.

Po ashtu Nagavci e informoi KPK-në edhe me të gjitha përgatitjet që janë duke u bërë për fillimin e vitit të ri shkollor dhe me ndryshimet e plotësimet ligjore që janë bërë e po bëhen në fushën e arsimit, që, sipas këshillit, pritet të kenë efekt pozitiv afatgjatë.

Dje, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar se greva e përgjithshme do të fillojë më 25 gusht.