Ilustrim

Këshilli i Prindërve: Pagat e mësimdhënësve duhet të dalin pa vonesë

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që të jepen pagat për mësimdhënësit.

Sipas Këshillit të Prindërve, ata kanë avokuar për të drejtën e fëmijëve për arsim dhe kanë kundërshtuar të drejtën monopolizuese të SBASHK-ut për hapje-mbyllje të shkollave sipas vlerësimeve të pak individëve.

“Si Këshill i Prindërve kemi avokuar, arsyetuar dhe deklaruar gjithnjë në të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve tanë për përkujdesje, edukim dhe arsimim publik të pamohueshëm nga askush. Kundërshtimi ynë kryesor ndërlidhet me të drejtën monopolizuese të SBASHK për të “mbyllur” e “hapur” shkollat sipas vlerësimeve të pak individëve dhe në dëm të plotë ndaj fëmijëve e prindërve”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim potencohet se ata nuk janë dakord që të krijohet një situatë edhe më rëndë se greva ku mësimdhënësit do mbeten pa paga.

“Por asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqene dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga. Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi” – thuhet më tej nga Këshilli i Prindërve.

Këshill i Prindërve të Kosovës i ka bërë thirrje institucioneve të bëjnë ekzekutimin e plotë të pagave të mësimdhënësve pa vonesë.

“Nëse nuk mund ta bëni më mirë arsimin – së paku mos e bëni më keq! Na lini të kthehemi në normalitet!”- thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kryeziu tha se për shtatorin pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” – ka thënë Kryeziu.

Qeveria konfirmon se vetëm ata që kanë punuar do të marrin pagat e shtatorit