Gjimnazi 'Sami Frasheri'

Këshilli i Prindërve: Bojkotimi i mësimit për katër ditë me radhë në gjimnazin 'Sami Frashëri' i pajustifikueshëm, kryetari të marr masa

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës e quan të pa justifikueshëm bojkotimin e arsimit për katër ditë me radhë në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë.

Përmes një reagimi ata kanë shprehur pakënaqësinë me mënyrën se si një grup mësuesish kanë ndalur procesin e mësimit.

“Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh pakënaqësinë e papranueshmërinë e plotë me bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë – tashmë për të katërtën ditë. Arsyeja përse një grup arsimtarësh atje po shkaktojnë bojkotimin e plotë të procesit mësimor, për shkak të pakënaqësive me përzgjedhjen e drejtorit të ri, në procedura të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse të arsimit, është krejtësisht e pajustifikueshme, kur këtë çështje duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse”, thuhet në reagim.

Tutje,  në reagim potencohet se procedura e emërimeve duhet të ndiqet nga organet përgjegjëse e jo nga stafi i shkollës, pasi kjo po u bënë dëm të madh fëmijëve.

“Vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë, në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë (e edhe rrezikimit fizik të tyre nga shprehjet e pakontrolluara të pakënaqësisë), shfaq dhe tregon për prezencën dhe ndikimin që kanë strukturat joformale nëpër shkolla tona, dhe të cilat tentojnë të imponojnë me mjete joligjore vendimet e tyre krejt njëanshëm e jashtë rrugëve institucionale”, thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre, në në asnjë kontratë, udhëzim, rregullore a ligj nuk ekziston baza juridike që arsimtarët të bojkotojnë mësimin për çështje që fare nuk kanë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Gjithashtu ata theksojnë se çdo që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes.

Këshilli i prindërve janë shprehur të habitur me heshtjen e kryetarit Shpend Ahmeti dhe mos marrjen e ndonjë mase nga ana e tij.

Sipas tyre, mos mbajtja e arsimit në njërën nga shkollat më të vlerësuara të qytetit është e turpshme.

“Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mos mbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme”, thuhet tutje në reagim.

Këshilli i ka bërë thirrje institucioneve vendimmarrëse që pa asnjë vonesë të marrin masa për këtë bojkotim të mësimit dhe të mos përdoren fëmijët për lojërat e tyre.

“Iu bëjmë thirrje institucioneve vendimmarrëse për arsimin në kryeqytet: Komunën e Prishtinës, Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit që pa asnjë vonesë të marrin masa që bojkotimi të ndërpritet dhe fillimi të rifilloj. Lëreni lojërat e mos i përdorni fëmijët tanë si mish për top! Shkollat janë për fëmijët e të fëmijëve”, thuhet nga Këshilli I Prindërve.

Që nga e mërkura, disa mësimdhënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë kanë bojkotuar mësimin me arsyen se nuk pajtohen me përzgjedhjen drejtoreshës së re, Fahrije Retkoceri.

Profesorët e kësaj shkolle konsiderojnë se zgjedhja e saj nuk është bërë sipas procedurave ligjore.

Madje, për mënyrën si janë zgjedhur shumë drejtorë të shkollave në kryeqytet, Inspektorati i Ministrisë së Arsimit ka ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës së Prishtinës për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në këtë komunë.

Kallëzimi penal është dorëzuar më 22 tetor të këtij viti në Prokurorinë Speciale nën dyshimin për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas burimeve të KALLXO.com, kallëzimi penal është dorëzuar për zgjedhjen e 8 drejtorëve të shkollave të Mesme të Larta, 4 zëvendës drejtor për Shkolla të Mesme të Larta, 13 drejtor për Shkolla Fillore të Mesme të Ulëta, 5 zv/drejtor për shkolla Fillore të Mesme të Ulëta dhe 8 drejtor të institucioneve parashkollore.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur sot se kallëzimi penal është ngritur pasi Komuna  e Prishtinës, sipas tyre, gjithë ecurinë e procesit të përzgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore në Komunën e Prishtinës e ka zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës, që rregullon këtë segment.

Inspektorati i Arsimit dorëzon kallëzim Penal ndaj Shpend Ahmetit dhe dy zyrtarëve të tjerë të Komunës së Prishtinës