Ndërtesa e Universitetit të Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit vendos të blejë 8 laptopë e telefonë për vete

7 anëtarë të Këshillit Drejtues dhe Sekretari i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, pritet të pajisen me telefona të mençur dhe laptopë që do të paguhen nga buxheti i universitetit.

Universiteti tashmë ka nisur procedurat e prokurimit për këto blerje.

Sipas përgjigjes së universitetit për KALLXO.com, pajisjet do të përdoren për nevoja të punës së Këshillit Drejtues

Pajisja me këto mjete po bëhet pas një vendimi që e ka marrë vetë Këshilli Drejtues i këtij universiteti.

Vendimi i marrë më 27 tetor 2020 është plotësim ndryshim i një vendimi paraprak të këtij këshilli të datës 27 nëntor të vitit 2019.

Vendimit i është ndëruar neni i parë dhe ai është riformuluar kështu:

“Të pajisen me nga një telefon mobil dhe nga një laptop anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Sekretari i Përgjithshëm, gjithsej 8 telefonë mobilë dhe 8 laptopë”, thuhet në vendim.

Këtë vendim, KALLXO.com e ka siguruar përmes zyrës për informim të universitetit. Vlen të ceket se as ky vendim e as vendimi paraprak nuk janë të publikuara në webfaqen e universitetit.

Kujtojmë se anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit janë Prof. Ass. Dr. Naser Bajraktari – Kryesues; Dr. Hajrija Skrijelj – Zëvendës Kryesuese, Dr. Kushtrim Gashi – Anëtar, Prof.ass. Dr. Rifat Morina – Anëtar; Prof.ass. Dr. Drita Krasniqi – Anëtar; Prof.ass. Dr. Ylli Kortoçi – Anëtar, Prof. Ass. Dr Rifat Hoxha – Anëtar.

Ndërkaq Sekretar i Përgjithshëm i universitetit është Burim Berisha.

Më 18 nëntor të këtij viti, universiteti ka hapur tender për blerjen e telefonëve për anëtarët e Këshillit Drejtues. Brenda këtij tenderi është paraparë blerja edhe e 32 USB-ve dhe 8 diktafonëve.

Vlera e përgjithshme e paraparë për këtë tender është 5 mijë e 900 euro.

Ndërkaq, sipas universitetit procedura e tenderimit për blerjen e laptovëe që tashmë ka nisur do të kryhet përmes Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik, nga kontratat e centralizuara.

Kujtojmë se në masat e reja të vendosura nga qeveria, studimet në të gjitha universitetet në vend bëhen online, ndërkaq prezenca fizike e studentëve në objektin e fakulteteve kërkohet vetëm në disa raste të kufizuara.

Hoti: Arsimi i lartë kalon plotësisht online