Rektorati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KD i UP-së nuk ia aprovon raportin vjetor UP-së

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ia ka aprovuar raportin vjetor të punës të vitit 2020 këtij universiteti.

Sipas burimeve të KALLXO.com, KD i UP-së nuk e ka aprovuar këtë raport, pasi ka konsideruar se në raport nuk janë pasqyruar informacione me të dhëna shtesë sipas kërkesave ligjore/statuare, moszbatimi i rekomandimeve të këtij Këshilli si dhe disa çështje të tjera të ngritura nga ai.

Raporti është shqyrtuar nga KD më datën 30 mars, ndërsa është njoftuar edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në shkresën e dërguar në drejtim të ministrisë disa nga çështjet e ngritura nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së janë: Zbatimi i planit të veprimit për përmbushjen e objektivave strategjike sipas strategjisë 2020-2022, menaxhimi i financave publike, planifikimi i buxhetit, shpenzimet dhe të hyrat duhet të paraqitën drejt dhe të realizohen në përputhje të plotë me kërkesat ligjore, duhet të evitohen mospërputhjet në listën e pagave sa i përket numrit të stafit të rregullt dhe atyre të angazhuar në procesin e mësimdhënies dhe personelit administrativ.

“Krijimi i regjistrit të pasurive dhe inventarit të UP-së, zbatimi në tërësi i rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe auditorit të brendshëm dhe mospërseritja e vazhdueshme e çështjeve të ngritura, zbatimi në tërësi i vendimeve dhe pikave të veprimit të KD-së”, thuhet më tej në shkresën e KD të UP-së në drejtim të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Tutje sipas Këshillit Drejtues këto çështje japin sinjale të qarta se UP-ja duhet të përmirësojë përformancën sipas udhëzimeve të KD-së dhe palëve të interesit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Universitetit të Prishtinës dhe është duke pritur përgjigje.