Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Kandidatja për edukatore nuk pajtohet me refuzimin e aplikacionit të saj

 

Gerta Pirani- Kadrija, kandidate për pozitën e edukatores në Institucionin Parashkollor “Ganimete Tërbeshi”, në Gjakovë, po ankohet se aplikacioni i saj është refuzuar padrejtësisht. Ky konkurs është shpallur në muajin prill 2021.

Në njoftimin e Komunës së Gjakovës, nga zyra e Burimeve Njerëzore, Gerta Pirani-Kadrija është njoftuar se nuk ka hyrë në listën e ngushtë të kandidatëve dhe të njëjtës i është refuzuar aplikacioni i konkursit, ndërsa në po këtë njoftim janë ftuar kandidatët për t`iu nënshtruar testit me shkrim.

Kandidatja Pirani- Kadrija, ka të kryer nivelin Bachelor në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në programin Mësuesi për Arsimin Parashkollor të Fakultetit të Shkencave të Edukimit si dhe nivelin Master në programin e Politikat Sociale dhe Mirëqenia e Fëmijëve.

Ndërsa, ky refuzim, sipas vendimit të Komunës së Gjakovës, është bërë për shkak se e njëjta nuk e ka kualifikimin përkatës sipas Udhëzimit Administrativ për Normativim mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm si dhe Udhëzimin Administrativ për Normativin për Mësimdhënësit e Arsimit Profesional.

Përveç kësaj, duke refuzuar aplikacionin e kandidates, komuna është bazuar edhe në nenin 16 paragrafi 5 të Ligjit për Arsimin e Lartë, në të cilën thuhet se “vetëm bartësit publik të arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi që qojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t’u punësuar në një shkollë”.

Pra, sipas komunës, të njëjtës i është thënë se moskualifikimi në testin me shkrim  është sepse ajo ka kryer gradën Master në një prej institucioneve të arsimit privat në Kosovë.

Ajo pretendon se i është bërë e padrejtë, duke e cilësuar këtë si diskriminim ndaj saj si dhe shkelje e të drejtave kushtetuese në barazi qytetare.

Pirani- Kadrija, gjithashtu ka parashtruar Ankesë në komunën e Gjakovës- Zyrës së Burimeve Njerëzore kundër njoftimit zyrtar që nuk i plotëson kushtet për mësimdhënie, duke pretenduar se arsyeja e komunës është e papranueshme, pasi që Institucioni në fjalë (Kolegji Privat) ka akreditim nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës dhe është i barabartë me të gjitha institucionet tjera publike të arsimit në Kosovë.

Përmes kësaj Ankese, Gerta Pirani- Kadrija, ka kërkuar nga komuna që të e ndryshoj vendimin dhe të njëjtës t’ia mundësoj nënshtrimin në testin me shkrim.

Në anën tjetër, komuna në përgjigjen e saj në ankesën e kandidates ka thënë që atyre nuk i është prezantuar vendimi nga ana e MASHT-it, që ka kryer barazvlerësimin sipas standardeve të arsimit në Republikën e Kosovës.

“Ju njoftojmë se kandidatët me kualifikim 3 vjeçar vijnë në konsideratë vetëm në mungesë të kandidatëve të nivelit Master, sistemit katërvjeçar dhe sistemit Bachelor katërvjeçar. Po ashtu, duke u bazuar në nenin 16 paragrafi 5 të Ligjit për Arsimin e Lartë, ku thuhet se vetëm bartësit publik të arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi që qojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi  për t’u punësuar në shkollë”, thuhet në përgjigjen në ankesë nga ana e Komunës së Gjakovës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtorin e Arsimit në Gjakovë, Gjevalin Nikollbibaj.

“Ne si drejtori nuk kemi të drejtë kandidatët të cilët kanë një kualifikim në kolegjet private që t`i nënshtrohen procedurave të rekrutimit, gjithmonë duke u bazuar në ligjin në fuqi, por më së miri drejtohuni zyrës për burime njerëzore në komunë, pasi që ata kanë hapur konkursin dhe janë marrë me të gjitha procedurat e rekrutimit të stafit arsimor dhe parashkollor dhe të njëjtit mund të prononcohen për ju”, ka thënë Nikollbibaj për KALLXO.com

Po ashtu, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me udhëheqësin e Zyrës së Burimeve Njerëzore në komunë, Kushtrim Brahimaj, duke thënë që qëndron prapa përgjigjës në ankesë.

“Në dosjen e kandidates nuk kishte vendim për nostrifikimin e diplomës dhe kjo ka qenë arsyeja e parë pse është refuzu për me u ftu në test me shkrim ose të jetë pjesë e listës së ngushtë. Por, edhe po ta kishte nostrifikimin të cilën dokument po e shoh tash prej jush, prapë se prapë nuk do të futej në listën e ngushtë sepse diploma bachelor e saj i ka 180 kredi përderisa kushti është të ketë 240 kredi”, ka thënë Brahimaj për KALLXO.com

Zyrtari i Zyrës së Burimeve Njerëzore, Kushtrim Brahimaj, ka përmendur tre kritere të mësimdhënies që duhet të plotësohen e të cilat janë: Nostrifikimi i diplomave të arsimit të kryer jashtë vendit, të ketë 240 kredi pra 4 vjeçar, nëse fakulteti është 3 vjeçar duhet ta ketë një Master, por jo Master në institucionet private për shkak se institucionet private të arsimit nuk janë të licensuara për mësimdhënie.

Sipas tij, kandidatja Gerta Pirani- Kadrija, në këto tre kritere apo mundësi ka pasur probleme.

Përveç kësaj, kandidatja ka ushtruar edhe Padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës ndaj Komunës së Gjakovës – Drejtorisë së Arsimit, duke kërkuar anulimin e vendimit të tyre të përgjigjes në ankesë.

Përmes padisë, ajo pretendon se Qeveria e Kosovës në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme në bazë të Udhëzimit Administrativ të MASHT ka barazvlerësuar të gjitha diplomat e bartësve të arsimit të lartë.

Në padi, Gerta Pirani- Kadrija, këmbëngul që edhe Institucioni Privat i Arsimit ku ka përfunduar studimet ajo, është i barabartë ligjërisht me të gjitha institucionet tjera publike të arsimit në Kosovë dhe se ndaj saj është vepruar në kundërshtim të plotë me nenin 2 paragrafin 1 të Ligjit të Punës.

Si dhe me nenin 2 paragrafin 1 nënparagrafin 1.1 të Ligjit për mbrojtje nga Diskriminimi.

Ajo kërkon konkurim të barabartë dhe jodiskriminues në këtë konkurs dhe në konkurset e ardhshme.