Kandidatja padit UP-në për konkursin në Fakultetin e Arteve, pretendime për parregullsi

Dyshimet për parregullsi e padrejtësi brenda një konkursi në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës kanë bërë që kandidatja Adriana Nimani-Kutllovci të dërgojë rastin në gjykatë.

Nimani-Kutllovci po pretendon se anëtarët e Komisionit Recensues i kanë mohuar asaj disa të arritura dhe veprimtari artistike duke mos e propozuar për përzgjedhje në pozitën Profesor Asistent, duke zgjedhur në vend të saj, kandidaten Mjellma Goranci-Firzi.

Pasi ankesat në të gjitha fazat e përzgjedhjes i janë refuzuar kandidates Kutllovci, ajo e ka paditur Universitetin e Prishtinës dhe Këshillin e Fakultetit të Arteve dhe thotë se nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi në rastin e saj.

Historiku i konkursit

Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti i Arteve kishte hapur konkurs më 20.10.2019 për Profesor Asistent në lëndën “Tipografi BA” për degën e dizajnit në këtë fakultet.

Më 3 dhjetor, ishte shpallur vendimi i Komisionit Recensues i përbërë nga Muhamet Ahmeti, Visar Mulliqi dhe Faik Krasniqi të cilët nuk e propozojnë për zgjedhje Adriana Kutllovcin.

Sipas Kutllovcit, Komisioni nuk e ka marrë për bazë faktin që ajo ka vepra të publikuara në faqen artsy.net që është platformë e njohur ku artistët publikojnë veprat.

“Kandidatja nuk i plotëson kriteret formale juridike pasi që propozimi i saj bie ndesh me dispozitat lidhur me aktivitetet artistike…ku komisioni konstaton se kandidatja nuk ka asnjë aktivitet në institucionet e artit dhe kulturës të cilat janë të indeksuara në bazat përkatëse…”, thuhet në raportin e Komisionit Recensues.

Ekspozita e kandidates Kutllovci në galerinë Bortolami në fakt është e regjistruar në artsy.net, platformë kjo e indeksuar.

Përveç kësaj, kandidatja thotë se Komisioni nuk e ka njohur përvojën e saj të punës në kolegjin “Design Factory”.

Sipas saj, në këtë kolegj ajo ka punuar për 11 vite dhe kolegji ka qenë i akredituar në kohën sa ajo ka punuar aty si staf akademik.

Për të dy këto pretendime, KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të të gjithë anëtarëve të Komisionit Recensues, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit. 

Kandidatja ka përmendur disa prej veprimtarive artistike me institucione kulturore që thotë se i janë mohuar në raportin e Komisonit Recensues.

Disa nga pullat postare të dizajnuara nga Kutllovci janë tashmë pjesë e ekspozitës së përhershme të Muzeut të Kosovës.

Pullat Postare në Muzeun e Kosovës

Në anën tjetër, ajo po ashtu ka qenë pjesëmarrëse në ekspozitën e organizuar nga Galeria e Arteve në Pejë ku bashkëpjesëmarrës ishte edhe anëtari i Komisionit Recensues, Faik Krasniqi.

Lidhur me vendimin e Komisionit Recensues, kandidatja e pakënaqur kishte bërë ankesë në Këshillin e Fakultetit të Arteve.

Në ankesë, kandidatja përmend se veprimtaria e saj artistike përbëhet nga 44 punime dhe atë 27 punime ndërkombëtare.

Vlen të theksohet se në vendimin e Komisonit të Ankesave që e hedh poshtë ankesën e lartcekur thuhet se sa i përket ankesës për mohimin e veprave dhe krijimtarisë artistike Komisoni i Ankesave është mbështetur në rregulloren që thotë se “Komisioni Vlerësues mban përgjegjësinë për vlerësimin e saktë të veprave dhe krijimtarisë artistike”.

“Në këtë pikë, ne si komision nuk mund të marrim rolin e rivlerësuesve profesionst dhe jemi të detyruar të pranojmë si fakt vlerësimin e komisionit profesional vlerësues”, thuhet në raportin e Komisionit të Ankesave.

Sa i përket çështjes së përvojës së punës, Komisoni i Ankesave ka shkruar se kandidatja “ka , sjellë si dëshmi vetëm një vërtetim nga Kolegji “Design Factory”, pa dëshmi përcjellëse si kontrata e punës.

“Ne nuk kemi mundur t’i kuptojmë arsyet për mosshënimin e viteve të përvojës, por nëse nuk është sjellë kontrata e punës, mund të supozojmë se pa të, nuk i është pranuar vetëm vërtetimi”, thuhet në vendimin e Komisionit të Ankesave.

Tutje,më 7 shkurt të këtij viti, Senati i Universitetit të Prishtinës e kishte kthyer lëndën në rishqyrtim në Këshillin e Fakultetit.

Ndërsa më 27 shkurt, Këshilli i Fakultetit kishte mbajtur mbledhje dhe kishte konstatuar se kandidatët e përzgjedhur i plotësojnë kushtet për përzgjedhje.

Më 5 mars, Senati i Universitetit të Prishtinës merr vendim që kandidatja Mjellma Goranci- Firzi të përzgjidhet në pozitën e paraparë në konkurs.

Edhe ndaj këtij vendimi, u ankua kandidatja Nimani-Kutllovci, por ankesa e saj u hudh poshtë dhe në mbledhjen e Senatit të datës 9 shtator, u vendos përfundimisht që në këtë pozitë të zgjidhej Goranci-Firzi.

Në këtë situatë, kandidatja Nimani-Kutllovci thotë se nuk ka zgjidhje tjetër përpos të kërkojë të drejtën e saj në gjykatë.

Lidhur me padinë e kandidates, KALLXO.com ka kërkuar koment edhe nga Universiteti i Prishtinës.

Megjithëse padia u dorëzua me 15 tetor, sekretari i Universitetit, Esat Kelmendi tha se deri më 15 nëntor, UP nuk kishte pranuar ndonjë njoftim për këtë padi.

 “Lidhur me rastin për të cilin ju jeni interesuar nuk ka pranuar asnjë kërkesëpadi apo vendim nga gjykata me të cilin e obligon UP-në që të jap ndonjë përgjigje për padi eventuale”, tha Kelmendi për KALLXO.com.

Ai gjithashtu tha se kandidatja Kutllovci ishte refuzuar në të gjitha fazat e përzgjedhjes në këtë konkurs.

“Znj. Kutllovci, pas vlerësimit nga Komisioni vlerësues kishte raport negativ të vlerësimit, gjithashtu negativisht kishte vendosur edhe Këshilli i Fakultetit dhe në fund edhe Senati. Pas shqyrtimit të ankesës e njëjta po ashtu është refuzuar nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i Senatiti dhe nga Senati”, tha Kelmendi.

Kandidatja e zgjedhur në këtë rast, Mjellma Goranci- Firzi nuk ka dashur të komentojë në asnjë çështje lidhur me konkursin.

Ndërkaq, kandidatja Kutllovci thotë se përpos kthimit të konkursit nga fillimi, fakulteti duhet të caktojë recensentë të ri që do të vlerësojnë kandidatët në këtë konkurs.

“Unë po kërkoj mu kthy landa në fakultet edhe njëherë me u caktu recensentë të rinj”, thotë ajo.