Blerina Hoti - FOTO KALLXO

Kandidatja me gjuhë angleze ia zë vendin asaj me gjuhë gjermane - VIDEO

Në konkursin për mësimdhënëse të gjuhës gjermane në komunën e Gjakovës, një kandidate pretendon se është pranuar një kandidate tjetër e kualifikuar për gjuhë angleze.

Blerina Hoti nga Gjakova kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga komuna e Gjakovës, për mësimdhënës të gjuhës gjermane, të datës 26 prill të këtij viti.

Ajo thotë se është pranuar në dy shkolla që nuk ka aplikuar fare, që sipas saj, nuk i konvenon, për shkak të lokacionit.

“Kam konkuruar në dy shkolla në Gjakovë. Në shkollën ‘Fehmi Agani’ dhe në shkollën ‘Emin Duraku’, tregon ajo.

“Rezultatet kanë dalë me 22 qershor dhe emri im figuronte në dy shkolla, që unë nuk kam konkuruar fare aty, në shkollat në Demjan dhe në Doblibare”, thotë Hoti.

“Në shkollën që nuk jam pranuar unë, ka konkuruar një kandidate me diplomë të gjuhës angleze dhe aty është pranuar ajo dhe thuhet se ajo ka të drejtë me zgjedh shkollën, për arsye se ka bo pikë më shumë në test, ndërsa unë eliminohem për arsye se kam pasur më pak pikë”, ka thënë ajo.

Gjevalin Nikollbibaj – DKA

Ndërsa drejtori i Arsimit në komunën e Gjakovës, Gjevalin Nikollbibaj është arsyetuar duke thënë se nuk e din pse ka ndodhur një gjë e tillë, pasi konkurset tash e sa kohë i shpallë Zyra e Burimeve Njerëzore.

“Nuk e di pse ka ndodhur kështu, realisht unë kam kërku që me u zëvendësu ato orë të këtij viti akademik, e ky vit veç ka përfundu. Mua asnjë kontratë nuk më është sjellë për me e nënshkru, të kësaj mësimdhënëse, por nuk e di se çka po ndodhë”, tha ai.

“Pse duhet me ndodhë kjo besoj që duhet me e lyp përgjigjen diku tjetër, saktësisht duhet me e lyp në komunë, ose te Zyra e Burimeve Njerëzore, e që ish dashtë me qenë Drejtoria e Arsimit”, ka thënë Nikollbibaj.

Në anën tjetër, përmes një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, Zyra e Burimeve Njerëzore në Gjakovë ka thënë se Ligji për Zyrtarët Publik i jep të drejtën që të shpallë konkurse edhe në Drejtori të Arsimit.

Ndërsa për zgjedhjen e kandidates me gjuhe angleze në konkursin  për gjuhë gjermane, Zyra e Burimeve Njerëzore është arsyetuar duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak se konkursi ka dështuar dy herë.

“Sa i përket konkursit për të cilin ju jeni interesuar, ju informoj se dy herë ka dështuar konkursi për pozitën Mësimdhënës i Gjuhës Gjermane, herën e tretë me qëllim që të mos dështoj konkursi dhe t’iu mundësohet shkollave që të kenë mësimdhënës të këtij profili e kemi ulur kriterin dhe në listën e ngushtë kemi përfshirë kandidatët që përmbushin kriteret e konkursit, studentët nga profilet e gjuhës gjermane si dhe kandidatët që kanë diplomë të profileve tjera”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Kurse drejtori i Arsimit, Gjevalin Nikollbibaj ka thënë se në Komisionin përzgjedhës të konkursit, nuk ka qenë asnjë zyrtar i Drejtorisë së Arsimit.

“Thjeshtë unë e shoh këtu që është mbledh një komision, dy ose tre anëtarë prej tyre po i njoh që vijnë nga sfera e arsimit dhe po i besoj për punën e tyre, por ajo që ish kanë ekspert i fushës, unë i kam këtu zyrtarët e mi dhe me gjasë ish dashtë me kanë zyrtarët e mi, edhe pse e kam bërë një aplikim, një kërkesë që me qenë anëtarë të komisionit përzgjedhës, por nga Drejtoria e Arsimit nuk kemi asnjë anëtar”, ka thënë ai.