Kandidatët për deputetë përplasën për arsimin

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Sejdi Hoxha, në emisionin “Debat” të RTK-së, ka thënë se qeveritë e kaluara nuk i kanë kushtuar rëndësi të veçantë arsimit.

Në kuadër të Debatit Zgjedhor në RTK, nga panelistët u diskutua edhe për arsimin profesional, si pjesë e programeve zgjedhore.

“Duhet të investojmë shumë në edukimin e gjeneratave të reja. E para me rëndësi bërja e një profesioni, i cili siguron gjetjen e një vendi të punës, dhe një jete me dinjitet. Këto kushte duhet t’i krijoj shteti. Ne ende nuk kemi arritur ta edukojmë gjeneratën e re dhe t’i ofrojmë ata me perspektivën e tyre”, ka thënë kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Frashër Demaj.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Sejdi Hoxha, thotë se Kosovës i duhet arsimi profesional.

“Në universitetin ku unë ligjëroj, Universiteti i Shkencave të aplikuara në Ferizaj, kemi një drejtim të hotelerisë dhe turizmit, e që i duhet Kosovës. Praktikisht shumë student i kemi dërguar në Turqi e vende të ndryshme, restorante të ndryshme, ku kanë shkuar student e profesorë, derisa studentët kanë kryer praktikë dhe janë paguar”, tha ai.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, ka theksuar edhe tre elemente që po ndikojnë në rezultatin e testit PISA.

“E para është trajnimi i mësimdhënësve në shërbim nga institucionet kredibile. Ne do të krijojmë mekanizma kredibil që i trajnojnë mësimdhënësit në përputhje me përmbajtjen e kurrikulave. Elementi i dytë, rishikimi teksteve shkollore dhe e treta rritja e numrit të inspektorëve të cilët do ta kontrollojnë mësimdhënësin. Kur këto tria do të realizohen, jam shumë i sigurt se Kosova do të ketë një rezultat shumë më të mirë të arritshmërisë nga nxënësit”, ka thënë Hoxha.

Sa i përket arsimit të lartë dhe të shkencës, kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Frashër Demaj, ka përmendur disa pika për zhvillimin e arsimit të lartë dhe e të bërit konkurrues jo vetëm me vendet e rajonit por edhe me vendet e BE-së.

“LDK ka planifikuar një program i cili do ta ngritë cilësinë të studimeve bachelor dhe master”, ka përfunduar Demaj. RTK