Injorimi i masave anti-COVID në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” semestrin e parë të ligjëratave në vitin akademik 2020/21 e ka zhvilluar online sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa ushtrimet, provimet dhe shërbimet administrative janë ofruar fizikisht për studentët në objektet e fakulteteve.

Edhe përkundër kësaj, universitetet kanë qenë të obliguara të respektojnë masat që bazohen në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”.

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, KALLXO.com është duke monitoruar respektimin e masave anti-COVID nëpër 7 universitetet publike të Kosovës. Gjatë kësaj kohe monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se disa nga masat e përcaktuara me vendimet e Qeverisë dhe “Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19” nuk janë respektuar nëpër fakultetet e Universitetit të Prishtinës.

Shenjëzimi i distancës vetëm tek administrata

Që nga muaji nëntor në Fakultetin Filologjik, Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakultetin Ekonomik dhe Fakulteti Juridik, shenjëzimi për mbajtjen e distancës prej 1.5 metra është vendosur vetëm tek administrata e fakulteteve.

Por shenjëzimet e tilla mungojnë në hapësirat e tjera të brendshme nëpër fakultete.

Përveç shenjëzimeve në afërsi të sporteleve ku ofrohen shërbimet administrative për studentët, aty janë vendosur edhe dezinfektuesit.

Injorimi i maskave mbrojtëse nga studentët

Brenda fakulteteve të monitoruara në muajin shkurt, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe në Fakultetin Juridik janë hasur studentë të cilët nuk kanë pasur të vendosur maska mbrojtëse dhe nuk kanë qenë duke mbajtur distancë.

KALLXO.com ka marrë përgjigje nga dekani i Fakulteti Juridik, Avni Puka dhe dekani i FShMN-së, Idriz Vehapi, në lidhje me mosmbajtjen e maskave mbrojtëse nga studentët.

“Si Dekan kam themeluar një Task-forcë për mbikëqyrjen e zbatimit të masave kundër COVID-19”, ka thënë Avni Puka për KALLXO.com.

Ndërsa, dekani Vehapi kishte thënë se deri atë ditë [02.02.2021] nuk kishte hasur ndonjë student që nuk ka respektuar masat anti-COVID.

“Ne deri tani nuk kemi pasur asnjë rast të tillë. Është pyetja e parë që po ma bëni për këtë aspekt. Nëse studentët nuk i vendosin maskat ia tërheqim vërejtjen”, kishte deklaruar Vehapi.

Mosvendosja e shenjëzimit se sa studentë lejohen brenda klasave

Katër fakultete që janë monitoruar në muajin nëntor të vitit 2020 dhe në shkurt të këtij viti, Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti Filologjik nuk kanë pasur dhe nuk e kanë vendosur shenjëzime se sa persona lejohen brenda klasave.

Po ashtu, këto fakultete nuk kanë vendosur as njoftime se në cilat karrige mund të ulen studentët e në cilat jo.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.