Foto: Atdhe Mulla

Infektimet me coronavirus, 13 shkolla të Prishtinës mbajnë mësim nga distanca

13 shkolla të komunës së Prishtinës janë duke zhvilluar mësim nga distanca apo sipas skenarit C.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtoresha e Arsimit e Komunës së Prishtinës, Shpresa Shala.

“Janë 13 shkolla që janë duke vazhduar mësimin sipas skenarit C. Sot ka shkuar Shkolla e Mesme “Sami Frashëri”, Shkolla e Gjelbër dhe shkolla “Faik Konica” dhe dy janë më skenarin B shkolla: “Xhemajl Mustafa” dhe Shkolla e Muzikës. 15 janë në total që nuk janë duke mbajtur mësim me prezencë në shkollë”, tha ajo.

Shala shtoi se mësimi online është duke u zhvilluar sipas orarit mësimor të paraparë në këto shkolla.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për numrin e mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar gjatë periodës së dytë, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Perioda e dytë në shkollat e Kosovës ka filluar më 18 janar me planin e njëjtë siç kishte filluar perioda e parë. Pra, me tre skenarë të cilët ishin përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.