Hoxha – Nagavcit: Konsideroje dorëheqjen, mos u jep model fëmijëve si një ministre që e shkel Kushtetutën

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha në seancën e Kuvendit të Kosovës foli për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli jo-kushtetues një vendim të MAShTI për mësim alternativ në Kamenicë në vitin 2021.

Hoxha i tha ministres që mos t’u jep model fëmijëve që po e qeverisë arsimin një ministre “që e shkel Kushtetutën”.

“Pa dashur të mbajë anën në aspektin politik, fakti qëndron mbi atë se çka thotë Gjykata Kushtuese, nëse në parim vendimi vjen duke thënë se ka shkelje, për asgjë tjetër qoftë për aspekt moral, unë kërkoj nga ju që formalisht, jo për moralisht ta konsideroni dhe mos të jeni model i fëmijës së të ardhmes, që ministrja e Arsimit që ka shkelur Kushtetutën do t’i drejtoje proceset e arsimit në Kosovë”, tha Hoxha.

Deputetja po ashtu tha se çështja e reformës në arsim në Kamenicë, është instrumenatlizuar nga LVV-ja.

“Politikisht LVV e ka instrumentalizu aspektin e reformës dhe sot jeni në pushtet në komunën e Kamenicës dhe kush ka pësu në këtë proces është fëmijët”, shtoi ajo.

Gjykata Kushtetuese më 8 prill, e ka shpallur jo-kushtetues vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MAShTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.

Kurse, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se ka qenë e detyruar që ta marrë këtë vendim pasi sipas saj, si e ka marrë mandatin si ministre, ka pranuar shumë ankesa nga prindërit në Kamenicë.

“Në momentin që kam pranuar detyrën e ministrisë së Arsimit jam ballafaquar me kërkesa të shumta të prindërve në Kamenicë që kanë kërkuar nga unë që t’i mundësojë që të realizojnë të drejtën e tyre për shkollim. Si ministre e Arsimit nuk kam mundur të jem symbyllur ndaj faktit se pa marrë parasysh se ata jetonin në Kamenicë nuk kanë vijuar mësimin”, tha Nagavci.

Nagavci për vendimin në Kamenicë: Sikur të kishte ndodhur rasti në Prishtinë, nuk do të pritej kaq gjatë