Zenun Halili

Halili paralajmëron kallëzim penal ndaj Komisionit Profesional të senatit të UP-së

Zenun Halili është eleminuar nga kandidatura për rektor të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga komisioni vlerësues i krijuar nga Senati i UP-së ditë më parë.

Pas kësaj, Halili ka thënë për KALLXO.com se ka dorëzuar reagim në drejtim të senatit të UP-së dhe se do të bëjë kallëzim penal ndaj komisionit vlerësues.

“Unë sot ua  kam dërguar një reagim anëtareve te Senatit të UP-së, lidhur me shkeljet që i ka bërë  Komisioni Profesional i Senatit. Ky reagim do të përcjellët edhe tek mediet”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komisioni Profesional  ka tejkaluar kompetencat e veta duke e dëmtuar kandidaturën e tij.

“Me kët rast ata kanë kryer vepër penale nga neni 414 i Kodit Penal.  Kjo është deklarata ime. Për më shumë do të informoheni pasi kundër Komisionit do të beëë Kallëzim penal, për keqpërdorim të pozitës zyrtare”, ka thënë më tej Halili.

Universiteti i  Prishtinës “Hasan Prishtina” më 1 tetor pritet që të ketë rektorin e ri që do të udhëheqë këtë institucion për katër vitet e ardhshme.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor të UP-së që do të shqyrtohen nga senati dhe pastaj të dërgohen në Këshillin Drejtues të UP-së, i cili është organ vendimmarrës.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve të cilin komision e formon Senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka, ka eliminuar nga gara njërin nga kandidatët më të përfolur për këtë pozitë, Zenun Halili.

Halili, para se të kandidonte, e kishte lënë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së.

Sipas dokumentit të siguruar nga KALLXO.com, arsyeja pse komisioni vlerësues e ka eliminuar nga kjo garë Halilin, ka qenë për shkak të kësaj pozite.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti.

Pavarësisht këtij raporti, senati i UP-së është duke e mbajtur mbledhjen, ku janë duke e  shqyrtuar këtë raport të komisionit vlerësues për pozitën e rektorit të UP-së.