Rron Gjinovci, Foto:KALLXO.com

Gjinovci i përgjigjet deklaratave të Eliza Hoxhës për KShC: S'jam anëtar i LVV

Drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci përmes një konference për media, i është përgjigjur deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha në lidhje me disa akuza që ajo i ka bërë në drejtim të tij, sa i përket Këshillit Shtetëror të Cilëisë(KShC).

Ai është përgjigjur akuzave të Hoxhës, e cila kishte thënë se Gjinovci është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, andaj edhe Ministrja e Arsimit e ka zgjedhur për të qenë pjesë e komisionit vlerësues për anëtar të KShC-së.

“Ajo në mënyrë kinse të paqëllimshme më ka quajtur aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje! çka unë nuk jam. Unë në LVV kam qenë deri në vitin 2012, pra 9 vite më parë dhe prej atëherë, sipas rasteve, herë jam pajtuar e herë jo me ta, siç ka ndodhur pothuajse me cilëndo parti në Kosovë.Unë jam emëruar pjesëtar i Komisionit të përkohshëm për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të KShC-së sipas ligjeve dhe rregullativave në fuqi”, tha Gjinovci.

Sipas tij, në këtë komision ka qenë bashkë me akademike Myzafere Limanin nga Akademia e Shkencave e Kosovës, rektorin e Universitetit të Prishtinës Naser Sahitin, me Aqim Emurli përfaqësues i projektit austriak në Kosovë HERAS PLUS dhe me zyrtarin e MAShT zt. Bekim Samadraxha i cili nuk ka qenë dhe nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë nuk jam emëruar në këtë komision për shkak të preferencave të Ministres Nagavci apo të bindjeve të mija politike, por për shkak se duke qenë drejtor i ORCA-s, e cila është pjesë e Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet KITU ku bëjnë pjesë 8 organizata të shoqërisë civile në Kosovë, jam propozuar nga ky koalicion e më pas jam emëruar nga Ministrja sipas procedurave të ligjshme”, tha Gjinovci më tej.

Gjinovci tha se pas shqyrtimit të aplikantëve për KShC, 29 prej tyre i kanë plotësuar kriteret, por Komisioni është dashur të rekomandojë të paktën nga dy persona në secilën nga 3 fushat e studimit ashtu që Ministrja të mund të zgjedh siç i takon me ligj.

“Komisioni ka arritur që përmes vlerësimeve të veta, të cilat ishin të bazuara në ligj dhe në dokumentet tjera rregulluese, të propozojë 9 emra duke theksuar se megjithatë të 29 emrat e listuar i plotësojnë kriteret e kërkuara ligjore. Pra, Komisioni me rekomandimet e veta i ka ofruar ndihmë Ministres, siç e tregon edhe vet fjala “rekomandim”, ndërkohë që është në diskrecionin e ministres të marrë apo jo parasysh rekomandimet e Komisionit”, tha Gjinovci.

Ai theksoi se kandidati Seb Bytyçi nuk ishte rekomanduar nga komisioni vlerësues, por ministrja, Arbërie Nagavci, e ka propozuar.

“Me sa u kutpua ministrja për 3 emra ka vendosur sipas rekomandimeve të Komisionit ndërkaq për 1 nuk ka dëgjuar rekomandimet e Komisionit. Kjo është Përgjegjësi politike që e mbart ministrja ndërsa mua më mbetet të them që kriteret e kërkuara ligjore i plotëson secili kandidat i zgjedhur nga ajo”, tha Gjinovci.

Ai theksoi më tej se sa i përket akuzave të Eliza Hoxhës së njëra nga kandidatet e propozuara, Hasnija Ilaz, e cila është rekomanduar nga Komisioni dhe përzgjedhur nga ministrja, sipas tij ka qenë mentore në temën e tij të Bachelor, por ai tha se se nuk është kategori ligjore që përbën konflikt interesi.

“Duke qenë e painformuar apo me keqdashje, deputetja Eliza Hoxha ka bërë shpifje për të cilën unë po shoh mundësinë e ushtrimit të një padije. Ajo ka thënë se unë dhe Hasnije Ilazi e drejtojmë Shoqatën e Filozofëve të Kosovës, informacion që është komplet i pavërtetë”, tha drejtori i ORCA-s.

Çështja e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë është diskutuar qysh nga java e kaluar, kur Komisioni për Arsim nuk i dërgoi për votim kandidatët e rekomanduar nga Ministrja, pasi njëri nga kandidatët kishte dorëzua CV me gabime drejtshkrimore.

Pas kësaj, PDK kishte organizuar konferencë për media duke drejtuar akuza ndaj anëtarëve të komisionit vlerësues.

PDK kritikon ministren Nagavci për përzgjedhjen e anëtarëve të KShC-së

.