Gjimnazi 'Sami Frasheri'

Gjimnazi “Sami Frashëri” kalon në mësim online

Gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë do të vazhdojë mësimin nga distanca prej të hënës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i shkollës, Daut Selimi.

“Me konsultim të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe IKShPK-së është marrë vendim që mësimi të zhvillohet me skenarin C”, ka thënë Selimi.

Skenari C parasheh mësimi online.

Në takimin e sotëm me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga DKA-të që të marrin vendime bazuar në gjendjen epidemiologjike në baza ditore.

“Në takimin virtual të zhvilluar sot me drejtorët e DKA-ve, ministrja Nagavci ritheksoi edhe një herë që duhet të bëjmë përpjekje maksimale që shkollat t’i mbajmë të hapura, ndërsa shtoi se, vaksinimi krijon parakushtet për zhvillim të suksesshëm të procesit mësimor”, thuhet në njoftim.