Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Gjakovë, mësimdhënësja padit Drejtorinë e Arsimit, kërkon plotësim të fondit të orëve mësimore

Një mësimdhënëse nga komuna e Gjakovës ka paditur Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, duke kërkuar plotësim të fondit të orëve mësimore. Ajo ka konsideruar se është diskriminuar në disa raste, ndërsa nga Drejtoria e Arsimit në Gjakovë thonë se është e drejtë e saj, ushtrimi i padisë.

Më datë 21 prill 2021, Anila Luzha, mësimdhënëse e gjuhës angleze në shkollën fillore ‘Selman Riza’ në Gjakovë, ka paditur Komunën e Gjakovës, përkatësisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë.

Luzha, është mësimdhënëse e gjuhës angleze me marrëdhënie pune me Drejtorinë e Arsimit  që nga viti 2017. Ajo ka vetëm 10 orë nga fondi orëve mësimore, ndërsa vazhdimisht ka kërkuar që ta marrë fondin e plotë.

Përmes padisë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Luzha ka kërkuar që në emër të kompensimit të dëmit material dhe jomaterial, sipas saj, të shkaktuar nga baza e diskriminimit, të i kompensohet shuma e cila do të përcaktohet me ekspertizë përkatëse, të anulohet një vendim i Drejtorisë së Arsimit për emërimin e një mësimdhënëse, si dhe t’i plotësohet fondi i orëve sipas Ligjit të Punës dhe Kontratës Kolektive të Arsimit Parauniversitar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Luzha thotë se kërkesën për plotësim të orëve mësimore e ka paraqitur që në vitin 2019.

“Nuk kam marrë përgjigje prej atëherë. Tash gjatë këtij viti mësimor e kam paraqitur edhe një kërkesë tjetër për plotësim të normës me daljen në pension të një mësimdhënësi në shkollën ku jam e punësuar. Për këtë kërkesë kam marr përgjigje prej DKA-së, ku drejtori aktual më ka njoftuar që me lirimin e 20 orëve në shkollën ‘Selman Riza’, një mësimdhënëse është transferuar në atë shkollë me vendimin e ish drejtorit të Arsimit, të lëshuar 8 muaj më parë”, ka thënë ajo.

Sipas Luzhës, kërkesa e saj për plotësim të fondit të orëve është e bazuar në Kontratën Kolektive të vitit 2017, të nënshkruar në mes të Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut.

Tutje, Luzha ka thënë se ka raste të shumta të ngjashme sikur të saj, ku janë pensionuar mësimdhënës të lëndës dhe orët e lira DKA-ja i ka kaluar mësimdhënësve të brendshëm të shkollës.

Ajo ka përmendur raste të mësimdhënësve të njëjtë sikur kualifikimi i saj, që i është mundësuar fondi i orëve të plota.

“Mendoj se jam diskriminuar nga Drejtoria e Arsimit, për faktin se mësimdhënësit e lartëcekur, i është plotësuar norma mësimore, që e kanë kualifikimin e njëjtë sikur timin. Ka plotë raste të tjera të transfereve dhe plotësimit të normës mësimore të mësimdhënësve të anglishtes, të cilët kanë kualifikimin sikur timin”.

Në anën tjetër, Gjevalin Nikollbibaj, drejtor i Arsimit në komunën e Gjakovës në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se në rastin e Anila Luzhës, është transferuar një mësimdhënëse tjetër në atë shkollë dhe ka marrë fondin e orëve, pasi sipas tij, egzistonte një vendim i ish drejtorit, për transferimin e saj.

“Realisht nuk kam qenë në dijeni që egziston një vendim për një transfer që ka ndodhë një vit më herët, është marrë në muajin e katërt që i bie rreth 10 muaj më parë. Është një vendim i mëhershëm dhe realisht është në kundërshtim në një farë forme, por që nuk jam i thirrur për me i prish vendimet”, ka thënë Nikollbibaj për KALLXO.com.

Në pyetjen se pse nuk e ka shfuqizuar atë vendim, Nikollbibaj ka thënë se ishte shumë vonë.

“Në kohën kur unë e kam kuptu, vetëm ka ndodhë akti i pensionimit të profesorit, edhe më kish marrë kohë që me e shfuqizu atë vendim dhe deri sa të bëhet rregullimi dhe të ndiqen ato procedurat të ankesave, më kish dalë problemi tek mësimnxënia ose orët mësimore”, është arsyetuar ai.

Kurse në pyetjen se pse ka pasur raste të mësimdhënësve tjerë që i është plotësuar fondi i orëve, me kualifikim të njejtë, Nikollbibaj gjithashtu është arsyetuar se në kohën e tij nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Por që ai ka pranuar se në rastin e mësimdhënëses Anila Luzha, është diskriminim.

“A është diskriminim, nëse iu ka plotësu dikujt me përgatitje të njejtë shkollore dhe nuk i plotësohet Anila Luzhës, nuk kemi kurgjo tjetër përveç diskriminimit, por për këtë unë mbaj përgjegjësi vetëm nga data 1 tetor 2020”, ka thënë ai.

Në komunën e Gjakovës janë rreth 70 mësimdhënës që punojnë nëpër shkolla me diplomë të kolegjeve private. Për këtë, drejtori Nikollbibaj ka thënë se ka konfuzitet, sepse nuk dihet çka do të ndodhë me ta, pasi Ministria e Arsimit nuk ka marrë vendim.

“Egziston një Udhëzim Administrativ që këta me këtë përgatitje (të kolegjeve private) kanë kontratë deri me 31 gusht 2021 dhe të njëjteve do t’i shpallet vendi i punës, ministria nuk ka njoftuar se a do të iu mundësohet që ta kryejnë shkollimin që të jenë në përgatitjen në bazë të ligjeve, apo do të iu shpallet vendi i punës. Për këtë është njëfar lloj konfuziteti”, ka thënë Nikollbibaj.