Foto: Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini"

Fillon mësimi online në Universitetin e Mitrovicës

Në Universitetin e Mitrovicës  “Isa Boletini” kanë filluar të mbahen mësimet përmes platformave online, si pasojë e ndërprerjes së mësimit nga coronavriusi.

Sipas njoftimit, ligjëratat e mbajtura me datën 14 dhe 15 mars të realizuara me studentët e programit Fillor dhe Parashkollor kanë rezultuara të suksesshme dhe pritet që të vazhdojnë edhe në fakultetet tjera.

“Ligjëratat ishin interaktive dhe kjo formë mundësoi me komoditet realizimin e  të priturave nga ligjërata si për profesoreshën Merita Shala ashtu edhe për studentët e të dy grupeve. Ligjëratat e radhës, do të zhvillohen sipas orarit.”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Mitrovicës.

Edhe në Departamentin  e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës kanë filluar t’i mbajë ligjëratat online përmes grupeve në Facebook të cilat janë përdorur edhe më herët.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kanë përpiluar udhëzimet se si duhet të mbahet mësimi online.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.