Foto: Kallxo.com

Fillon implementimi i projektit të BE-së për rritjen e cilësisë në arsim

Projekti i përgatitjes së mësimdhënësve të rinj për rritjen e cilësisë në arsim filloi të implementohet sot në Universitetin e Prishtinës, i mbështetur nga programi Erasmus Plus i Bashkimit Evropian.

Me këtë projekt parashihet profesionalizmi i mësimdhënësve, reformimi dhe standardizimi i mekanizmave te mësimdhënies dhe rritja e punës praktike në arsim.

Koordinatori i këtij projekti, Blerim Saqipi, tha së me këtë projekt do të shmanget ndërrimi i shpeshtë i kurikulave dhe do të rritet cilësia në arsim.

“Në Kosovë ekziston një lidhje e dobët lidhur me akreditimet. Agjensioni duhet të shikojë cilësitë dhe jo mangësitë në sistemin e arsimit. Aktiviteti tjetër do të jetë zhvillimi i kapacitetit të mësimdhënësve, nëse mund t’i bëjmë të orientohet drejt praktikës. Do të përdorim kurse në secilin fakultet”, tha Saqipi.

Si pika kryesore të projektit Saqipi parashtroi rritjen e numrit të kurseve, hartimin e  instrumenteve për përmirësimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, bashkëpunimin ndërkombëtar, menaxhimin, shërbimet e studentit, organizmin e një simpoziumi në vit, organizmin e konferencave ndërkombëtare, botimin e manualeve dhe revistave për mësimdhënës.

Zëvendësministri i MASHTI-t, Xhavit Rexhaj, tha se sistemi arsimor ka nevojë që të hyjë në një reformë të re.

“Ende nuk shoh qasje në syllabus, në mësimin e integruar, në lidhjen e fakulteteve me shkollat e tjera. Një projekt nuk i zgjedh problemet. Këtë mund ta  zhvillojmë së bashku me politika te reja për programet arsimore në Kosovë. Ta thjeshtësojmë sistemin dhe të bashkëpunojmë”, tha Rexhaj.

Sipas rektorit të UP Marjan Dema, qëllimi i këtij projekti është ngritja e cilësisë dhe zhvillimi i kulturës në arsim.

Stergios Tragoudas nga zyra e BE-së në Kosovë tha se në projektet e radhës do të fokusohen në metodat mësimdhënies.

“Zyra e BE-së ka investuar 80 milionë euro në të gjitha nivelet e arsimit. Aktualisht kemi disa projekt për këtë fushë të arsimit, që do të fokusohemi në metodat mësimdhënies. Ky projekt ka për qëllim ka për qëllim dy fusha: në përgatitjen e mësimdhënësve dhe mbledhjen e përshtypjeve nga studentët dhe zhvillimi i profesionalizimit të mësimdhënies”, tha Tragoudas.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, tha se të gjitha fakultetet duhet të bashkëpunojnë që të nxjerrim një mësimdhënës të shekullit 21.

Përfitues të këtij projekti janë edhe tri universitetet publike: Universiteti i Gjilanit, Universiteti i Gjakovës dhe Universiteti i Mitrovicës.