Filloi gjysmëvjetori i dytë në shkollat e Kosovës

Në të gjitha shkollat e vendit nxënësit sot i janë kthyer bankave shkollore për të filluar gjysmëvjetorin e dytë të vitit  shkollor 2019/2020.

Sindikata e Bashkuara e Arsimit të premten ka treguar se nuk do të ketë grevë në këtë ditë, por se pret që të mbyllet aktiviteti i nisur nga anëtarësia për mbledhjen e nënshkrimeve për revokimin e vendimit të masës së përkohshme për pezullimit e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj kishte thënë për KALLXO.com se po presin edhe formimin e institucioneve të reja në mënyrë që të adresojnë tutje edhe shqetësimet e tyre.

Në anën tjetër, në Kamenicë ky gjysmë vjetor ka filluar me fazën e dytë të reformës në arsim në dy shkolla.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati të premten në një konferencë për media ka treguar se faza e dytë e reformës do të fillojë në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë dhe në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin.

Kastrati  kishte thënë se nxënësit e të dy shkollave të ciklit të ulët (klasa zero deri në klasën e pestë) mësimin do të vijojnë në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin, ndërsa ata të ciklit të lartë poashtu të dy shkollave (klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë) në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë.

Përderisa sipas tij shkolla në Petrovc “Xhelal Sopi” do të bashkohet me shkollën në Dobërçan “Nazim Hikmet”, pas marrëveshjes me Komunën e Gjilanit.

Ai i bëri thirrje prindërve që t’i bashkohen kësaj reforme pasi që sipas tij kjo është në të mirë të nxënësve.Kastrati qysh nga fillimi i idesë së tij se do të bëjë reformë në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti, derisa tha se është vendimi më i vështirë që e ka marrë në jetë. Ai pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar drejtorin e Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu për të marrë informacione se si ka filluar ky gjysmë vjetor dhe është duke pritur përgjigje.

Kurse, me rastin e fillimit të gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bë thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.

Po ashtu, IKSHPK tërhoqi vëmendjen dhe apeloi prindërit dhe arsimtarët për zvogëlim të peshës së çantës.

“Prindër dhe arsimtarë. Menaxhimi i zvogëlimit të peshës së çantave të rënda parandalon të gjitha deformimet e boshtit të kurrizit te nxënësit e shkollave fillore”, thuhet në apelin e tyre.