Ilustrim

Fazat e dytë e mësimit ka filluar sot

Faza e dytë e vitit të ri shkollor ka filluar në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, ndërsa faza e parë ka filluar me 14 shtator.

KALLXO.com ka kontaktuar me disa nga drejtoritë komunale të Arsimit për fillimin e fazës së dytë.

Në komunë e Ferizajt janë dy shkolla të cilat nuk kanë filluar mësimin sot, por sipas drejtorit të Arsimit mësimi në këto shkolla do të fillojë në ditë në vazhdim.

“Dy shkolla i kemi që nuk kanë fillu në fazën e dytë janë shkolla “Gjon Sereçi” dhe “Bislim Rexhepi” në fshatin Komogllavë, kanë fillu me nivelin prej parafiollorë deri tek të gjashtat. Për shkak se drejtoresha në fillim është dyshu se është me COVID dhe pas testimit ka dal negativ dhe mësimi fillon nesër, ndërsa shkolla “Gjon Sereçi” fillon mësimin këto ditë për shkak të rregullimit të inventarit.”, ka thënë Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt.

Mësimi gjithashtu nuk ka filluar edhe në një shkollë të komunës së Pejës.

“Sipas të gjitha informatave që kam është duke u respektu faza e dytë. Mitoverica nuk ka fillu, nuk fillon edhe dy, tre ditë për shkak të renovimeve në përfundim”, ka thënë Besim Avdimetaj, drejtori i Arsimit në komunë  e Pejës.

Më me lehtësi procesi mësimor është duke u zhvilluar në shkollat në  të cilat numëri i nxënësve është më i vogël në krahasim me shkollat e mëdha.

“Saktë të gjitha shkollat në komunën e Kaçanikut kanë fillu, sipas informatat e mëngjesit. Shkollat e fshatrave janë duke punu me skenarin A, ndërsa shkollat e qytetit ka fillu me kombinimin B”, ka thënë Zhir Hoda, drejtori i Arsimit në komunën e Kaçanikut.

”Mirë ju kem i përmbajt, në shkollat e mëdha kemi shku sipas rekomandimeve, ndërsa në shkolla të vogla kemi shku normal në të gjitha klasët”, ka thënë Islam Shabani, drejtori i Arsimit të komunës së Fushë Kosovës.

Drejtoresha e Arsimit në Shtime dhe drejtori i Arsimit në komunën e Skenderajt kanë konfirmuar se mësimi ka filluar në të gjitha shkollat.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka marrë vendim që mësimi të filloj në dy faza, sot ka filluar faza e parë me institucionet parashkollore, klasat 1, 2, 3, 6, edhe klasat 10 në shkolla, ndërsa klasat 4-5 sipas skenarit A.

Më 21 shtator ka filluar mësimi për klasat 7, 8, 9, 11 dhe 12.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur më 12 mars për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ministria e Arsimit kishte vendosur që mësimi të vazhdojë online.

Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor.