Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ende nuk janë regjistruar studentët e Mjekësisë për të cilët mori vendim Likaj

Edhe pse ministri i Arsimit, Ramë Likaj ditë më parë mori vendim që të rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë për 50 studentë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk është duke e zbatuar këtë vendim.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka bërë të ditur për KALLXO.com se i kanë njoftuar kandidatët se nuk ka mundësi ligjore për regjistrimin e tyre si studentë.

“Ne jemi pronocuar tashmë për këtë çështje. Kandidatët i kemi njoftuar që nuk ka mundësi ligjore për regjistrimin e tyre. Natyrisht, edhe studimet nuk mund të vijohen pa u regjistruar në SEMS”, tha Sahiti.

Edhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka Kërliu ka bërë të ditur për KALLXO.com se nuk është duke u zbatuar vendimi i ministrit, Ramë Likaj.

Ministri i Arsimit mori vendim më 19 nëntor që të rritet numri i studentëve të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së, pasi këtë gjë ia kërkoi Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Por, vendimi i tij nuk u përkrahë as nga dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka Kërliu, bordi i KShC-së si dhe shoqëria civile.

Kurse, reagimi pati edhe nga ana e Bashkimit Evropian, duke thënë se Likaj injoroi kriteret e Agjencisë së Akreditimit me vendimin e tij.

Edhe vitin e kaluar, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte obliguar Universitetin e Prishtinës që të rris numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë edhe pse Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) e kishte kundërshtuar një gjë të tillë.

Kujtojmë se KShC ëshë organ që vendos për rritje të numrit të studenteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.