Drenas, kalimi në mësim online për shkak të renovimeve në shkollë nxit reagime të prindërve

Shkolla fillore “Rasim Kiqina” në Drenas që nga e hëna ka kaluar në mësimin në distancë, për shkak të punimeve që po mbahen për renovimin e dyshemesë në këtë shkollë.

Njoftimi për kalimin në mësim online që është bërë më 29 nëntor, të dielën, ka nxitur prindërit e nxënëseve që të shprehin shqetësimin e tyre në KALLXO.com. Sipas paralajmërimit, punimet do të vazhdojnë deri më 4 dhjetor.

“Të dashur nxënës, të nderuar prindër dhe mësimdhënës të shkollës sonë, procesi mësimor për shkollën tonë do të kalojë ne mësimin online nga data 30. XI. 2020 deri me 04. XII. 2020, për shkak të punimeve që janë duke u zhvilluar rreth renovimit të dyshemeve të shkollës. Ndjejmë keqardhje nxënës që nuk do t’iu kemi në shkollë, por shpresojmë se në bashkëpunim me mësimdhënësit tuaj dhe me përkrahjen e tyre humbjet në procesin mësimor do t’i kemi minimale”, thuhet në njoftimin e shkollës në rrjetin social “Facebook”.

Një prind që ka preferuar të mbetet anonim, është ankuar se punimet është dashur që të kryhen në kohën kur mësimi po zhvillohej online, për shkak të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

“Është e papranueshme për ne si prindër që fëmijët kur filluan të mësojnë në shkollë, me ua ndërpre për do punime që kanë mujt me u perfundu gjatë periudhës sa nuk kanë mbajte mësim në shkollë. Kjo është maltretim për fëmijët, plus t`u e marr parasysh faktin që po flitet se gjysmë vjetori me u kry më herët këtë vit”, ka deklaruar ajo për KALLXO.com.

Kjo nuk është hera e parë që mësimi është ndërprerë në këtë shkollë për shkak të renovimeve.

Fillimisht, bazuar në njoftimin e drejtorisë së shkollës më datën 9 tetor, e premte, nuk u mbajt procesi mësimor, për të zëvendësuar këtë ditë në një ditë vikendi. Pastaj edhe dy ditë të tjera, përkatësisht me datën 15 tetor dhe 16 tetor.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se është vendosur që katër ditë të vazhdon mësimi online.

Lidhur me ankesat e prindërve, Gjoka ka deklaruar se prindërit e nxënësve janë ndjerë të kënaqur se shkolla po renovohet, pasi thotë se ka qenë në gjendje jo të mirë.

“Këto tri ditë pritet që më përfundu komplet renovimet, edhe kompletohet shkolla sepse nuk ka qenë në gjendje të mirë. Ka qenë punë që është dashur me u përfundu këtë vit, edhe pas takimit që kemi pas edhe me task-forcën edhe të shkollës dhe të DKA-së është vendos që me shku online. Punime ka pasur të ndryshme, ka qenë objekti i ndarë, pjesa e vjetër dhe e re. Tash është faza e fundit, ka pas parket aty, janë ngarku disa mbetje aty nën parket, ka qenë i shtrim një material i pa nevojshëm edhe e kemi largu komplet edhe qajo pjesë është në renovim. Për shkak të pluhurit është paraparë që krijohet aty, është vendos që për katër ditë më vazhdu mësimi online. Punime ka pasur edhe në shkolla tjera, por që nuk ka qenë e nevojshme ndërprerja e mësimit për shkak të natyrës së punimeve, p.sh. te banjot, nyje sanitare”, tha Gjoka.

Çështja e ndërprerjes se mësimit ishte diskutuar edhe në debatin “Jeta në Komunë” në të cilën i ftuar ishte kryetari Ramiz Lladrovci përballë gazetares Jeta Xharra dhe asamblistët opozitar.

Në debatin e transmetuar me 21 tetor, Lladrovci ishte pyetur se përse punimet në këtë objekt shkollor po bëhen në kohën kur nxënësit pas disa muajve u kthyen në banka shkollore.

Ai nuk ishte pajtuar me pretendimet se punimet po zhvillohen gjatë ditëve të mësimit, por që thoshte se po bëhen vetëm në ditët e vikendit.

Lladrovci po ashtu kishte deklaruar se renovimi do të përfundohej në muajin tetor.

“Asnjë klasë nuk është t`u humb mësim, renovimin e kryjmë të shtunën dhe dielën, dhe besoj që shtunën e dielën e ardhshme kryhet renovimi. Se edhe në pandemi nuk kanë mujt me u kry se kemi plot imella të kompaninë që kanë thanë se e kam krejt stafin e sëmurë prej COVID-19, ne i kemi kërku listën, prej IKShPK-së sepse mendojna që po mundohen me na mashtru, nuk ka asnjë pengesë”, kishte thënë mes tjerash i pari i Drenasit në debatin “Jeta në Komunë”.

Mësimi në shkolla ishte ndërprerë prej 12 mars për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19 edhe në Kosovë, për të vazhduar më pas më mësim në distancë.

Mësimi për vitin shkollor 2020/21 për shkak të pandemisë COVID-19 ka filluar në dy faza, e para më 14 shtator dhe e dyta më 21 shtator. Për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm. Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.

Por së fundmi diskutues është fakti që gjysmëvjetori i parë të përfundojë më herët, për shkak të pandemisë, por që deri më tani ende nuk ka diçka zyrtare.