Drejtoria e Arsimit fillon procedurën disiplinore ndaj drejtoreshës së shkollës 'Jeronim de Rada'

Drejtoria e Komunale e Arsimit (DKA) në Ferizaj ka bërë të ditur se kanë filluar procedurat disiplinore ndaj Servete Hajrullahut, drejtoreshë e shkollës fillore “Jeronim de Rada”.

“DKA-ja, ka filluar procedurën diciplinore dhe brenda 15 ditësh do të dal me vendim ndaj drejtoreshës në fjalë”, ka thënë Bashkim Bytyçi, zyrtar për arsim në DKA.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe tek drejtoresha Servete Hajrullahu, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marr përgjigjie.

KALLXO.com ka raportuar më 11 tetor 2022 se një fëmijë 5-vjeçar nuk është lejuar të ndjekë mësimin në shkollën fillore “Jeronim de Rada” për shkak se ka flokë të gjata.

Rregullorja e shkollës fillore “Jeronim de Rada” në Ferizaj ia ndalonte pesëvjeçarit E.I. të shkojë në shkollë si parashkollor.

Një rregullore e shkollës thotë se “Ndalohet bartja e vathëve dhe rritja e flokëve te djemtë”.

Këshilltari ligjor i Ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj ka thënë se pas publikimit të lajmit nga KALLXO.com, kanë kërkuar inspektim emergjent të rastit.

Pas inspektimit, sipas Dervishajt, inspektorati ka rekomanduar kthimin e fëmijës në shkollë, me ç’rast prindërit janë njoftuar që 5-vjeçari të paraqitet në mësim.

“Pas njoftimit përmes publikimit të lajmit nga Kallxo.com se një fëmijë është larguar nga shkolla për shkak të flokëve të gjata, kemi kërkuar inspektim emergjent për rastin. Inspektorati ka zhvilluar inspektim dhe ka rekomanduar kthimin e fëmijës në shkollë. Sot, prindi është njoftuar që fëmija të paraqitet në shkollë”- ka shkruar Dervishaj në facebook.

Fadil Idrizi, babai i 5-vjeçarit ka vendosur që fëmijën e tij ta dërgojë në një shkollë tjetër në Ferizaj, për shkak se shkolla fillore “Jeronim de Rada” nuk e kishte pranuar në fillim nxënësin vetëm pse i ka flokët e gjata.

Idrizi tregon se pse vendosën që djalit t’ia ndërrojnë shkollën.

“Për arsye se ne si prindë jemi të pa kënaqur dhe kur e dërgova në shkollën tjetër fëmija e gjeti ngrohtësinë e vet aty dhe kjo është arsyeja pse e kemi dërgu në një shkollë tjetër”- tha Idrizi.