Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu në sh.f.m.u "Ditët e Minatorit", Kishnicë, Foto: Jehona Lushaku-Sadriu

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë: Mësimi tërëditor do të shtrihet në fshatra

Fillimi i vitit shkollor 2024/2025 i gjeti me mësim tërëditor dy shkolla fillore të mesme të ulëta në Prishtinë, e pas një muaji, këtë formë të mësimit e zbatuan edhe tri të tjera.

Komuna e Prishtinës siç duket ka në plan ta zgjerojë mësimin tërëditor edhe në fshatrat e kryeqytetit, të paktën kështu ka njoftuar drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Jehona Lushaku- Sadriu.

Teksa ka paralajmëruar se mësimi tërëditor do të shtrihet në fshatra, drejtoresha Lushaku- Sadriu ka publikuar disa fotografi të shkollës fillore të mesme të ulët “Ditët e Minatorit”, në fshatin Kishnicë.

“Mësimi tërëditor do të shtrihet në fshatra. Aty ku nuk t’a merr mendja, e gjen një shkollë moderne të pajisur me të gjitha kushtet dhe kapacitetet për mësim tërëditor – në Kishnicë në Shkollën ‘Ditët e Minatorit’” – ka shkruar Lushaku- Sadriu në Facebook, më 01.11.2024.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu në sh.f.m.u “Ditët e Minatorit”, Kishnicë, Foto: Jehona Lushaku-Sadriu
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu në sh.f.m.u “Ditët e Minatorit”, Kishnicë, Foto: Jehona Lushaku- Sadriu

Sipas Lushaku- Sadriut, shkolla “Ditët e Minatorit” ka potencial që lehtësisht të shëndrrohet në një shembull për të gjitha shkollat e fshatrave të rrethit.

“Me pamje rezidenciale, me pak investime dhe me një riorganizim strukturor, kjo shkollë do të jetë model për të gjitha fshatrat” – ka thënë Lushaku- Sadriu.

Mësimi tërëditor në kryeqytet vlen për nxënësit e klasave 1 – 5 dhe po realizohet në pesë shkolla të kryeqytetit.

Mësimi tërëditor i nxënësve të klasave 1 – 5 fillon në ora 07:45 deri rreth orës 15:00. Gjatë kësaj kohe, nxënësit kanë një shujtë të drekës, e cila është e financuar nga Kryeqyteti.

Më 14.09.2024, Lushaku Sadriu njoftoi se asamblistët e kryeqytetit e kanë votuar subvencionimin prej 126,000 euro për Kuzhinën Qendrore për mësimin tërëditor.

Kurse, më 02.09.2024, mësimin tërëditor e kanë implementuar dhe vazhdojnë me këtë formë të mësimit dy shkolla fillore të mesme të ulëta në kryeqytet – “Model-Qamil Batalli” dhe “Shkolla e Gjelbër”.

Pasi i kishte vizituar shkollën “Model-Qamil Batalli” me rastin e implementimit të mësimit tërëditor, Lushaku- Sadriu ka deklaruar se më 30.09.2024, mësimi tërëditor pritet të fillojë në shkollat e tjera, shkollën “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Kur u pyet nga KALLXO.com se pse nuk ka filluar më 02.09.2024 mësimi tërëditor në pesë shkollat e planifikuara, Lushaku- Sadriu tha se është filluar me shkollat që kanë qenë më gati në kushte.

Për shkak të mësimit tërëditor, ashtu siç ka njoftuar më 15.08.2024 drejtoresha Lushaku-Sadriu, klasat 6 – 9 të shkollave “Xhemail Mustafa” e “Faik Konica” do të zhvendosen në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Kurse, klasat 6 – 9 të shkollave “Shkolla e Gjelbër” e “Nazim Gafurri” do të zhvendosen në gjimnazin “Eqrem Qabej” në Prishtinë.

Dhe klasat 6 – 9 të shkollës “Model-Qamil Batalli” do të zhvendosen në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.